E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës, pa paga prej 6 ditësh

Për 65 gjykatës dhe 80 punonjës të administratës nuk është lëvruar fondi i rrogave

Vonesat në paga, tashmë kanë prekur edhe gjyqtarët. Bëhet fjalë për gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës, të cilët prisnin të merrnin pagat që më 1 qershor, por ende në llogaritë e tyre këto para nuk kanë kaluar. Por veç tyre, pagat nuk kanë kaluar edhe për gjithë punonjësit e administratës, që janë me detyra të ndryshme në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës dhe që sot hyjnë në ditën e gjashtë të pritjes për të marrë shpërblimet e punës së tyre.

Burimet tregojnë se fillimisht është menduar ndonjë defekt në llogari të veçanta, por më vonë është mësuar se i gjithë stafi ka mbetur pa paga. Ende nuk dihet nëse ky problem ka ndodhur vetëm me Gjykatën e Tiranës, apo me gjithë sistemin gjyqësor, por është e sigurt se deri ditën e hënë, ata nuk do t’i gëzojnë këto para. Burimet nga Gjykata e Tiranës bënë të ditur sesi çdo muaj, më datë 1, kanë shkuar në bankomate dhe në banka për të tërhequr paratë e pagave, me qëllim që t’i dërgojnë pranë familjes. Por, kur kanë bërë kontrollin, kanë vënë re se atyre nuk u ishte shtuar asgjë nga këto para. Në këto kushte janë kthyer mbrapsht, me idenë se do t’i merrnin një ditë më pas, pasi mund të kishte pasur probleme të vogla dhe që paratë do transferoheshin. Ditën tjetër kanë shkuar sërish, por prapë nuk kanë marrë para, pasi pagat e tyre nuk kishin kaluar. Duke u shqetësuar nga ky fakt, disa prej tyre kanë menduar se mund të kishin probleme me llogarinë e tyre, por kur janë interesuar ka rezultuar se transfertat nga buxheti i shtetit nuk ishin kryer. Ata janë interesuar edhe më tej dhe kanë marrë përgjigje negative, pasi u kanë komunikuar se nuk ka pasur para në buxhet dhe ato mund të vonohen pak ditë.

Kur është parë kjo situatë, lajmi ka marrë dhenë dhe ka rezultuar se problemi nuk qëndronte vetëm tek gjyqtarët, por edhe tek punonjësit e administratës të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Nga burimet mësohet se aktualisht në këtë gjykatë marrin pagën 65 gjykatës dhe 80 punonjës administrate, pra në total 145 veta, që presin këto paga. Nga interesimet e kryera pranë financës, e vetmja përgjigje ka qenë se mund të merren ditën e hënë, por nuk ka asnjë të dhënë të sigurt.
Ndërkaq, nuk dihet nëse ky skandal i rëndë me pagat e gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës, ka ndodhur vetëm me këtë institucion, apo edhe me institucione të tjera. Gjyqtarët kanë pyetur kolegët e tyre në rrethe, por në disa raste ka rezultuar se ata i kanë marrë paratë, ndërkohë që për rastin e Tiranës, mbetet enigmatike mungesa e derdhjes së parave nga buxheti i shtetit. Sipas të dhënave, kjo është hera e parë që ndodh në shumë vite dhe ka sjellë shqetësim tek punonjësit, që ishin mësuar të merrnin paratë në ditën e caktuar, ashtu si e gjithë administrata shtetërore.

Një problem i tillë ka ndodhur kohë më parë edhe me efektivin e policisë. Por, në atë rast, paratë e pagave të punonjësve të policisë në të gjithë vendin u vonuan për gjashtë ditë. Probleme me vonesat e pagave, zakonisht ndodhin në kohën e ndryshimit të viteve, kur futet në zbatim buxheti i vitit pasardhës, sipas vendimeve përkatëse të qeverisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›