E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mesazh-silenciatori kryendërtimorit të Tiranës”

05/04/2011  Atentat me një plumb në kofshë Ardit Kajës. Dy pista hetimi: Politike dhe detyra

Bllokohen 10 motorë, pyeten disa persona. Krimet e Rënda marrin çështjen

TIRANË- Me një plumb të vetëm silenciatori pistolete është paralajmëruar dje kryeinspektori ndërtimor i Tiranës, teksa “mesazhi” duket se u përcoll me të gjithë domethënien e tij. Dyshimet paraprake flasin për dy pista hetimi, atë të atentatit për shkak të detyrës dhe implikimeve politike, por gjithsesi ende nuk ka asgjë zyrtare. Deri tani janë bllokuar 10 motorë dhe u shoqëruan disa persona për verifikim. Kaja ndodhet në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. Atentati ndodhi dje në orën 09.25, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në afërsi të Ministrisë së Bujqësisë, kur dy persona të maskuar, me një motor tip “Piago” kanë plagosur në kofshën e majtë me armë zjarri të tipit pistoletë me silenciator shtetasin Ardit Kaja, 37 vjeç, kryeinspektor i Policisë Ndërtimore të Tiranës. Ai po udhëtonte me shoferin e tij, me makinën tip “Hyndai”, ngjyrë të bardhë me targa TR 8116 R, kur personat e panjohur i kanë prerë rrugën me motor dhe e qëlluan me një plumb të vetëm pistolete me silenciator, teksa shoferi nuk mori asnjë goditje. Ndërkaq, policia e Tiranës njofton zyrtarisht se menjëherë, në vendngjarje shkuan Oficerë të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, Ekspertë Kriminalistë, në bashkëpunim me Prokurorinë, të cilët bënë të mundur sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat. Ardit Kaja dy ditë më parë u vendos në qendër të vëmendjes për shkak të një konflikti me simpatizantë të LSI-së, rreth mesditës në orën 15.00, në afërsi të stadiumit “Dinamo” dhe më pas sërish në orët e vona të natës, ku u përfshinë edhe simpatizantë të disa forcave të tjera politike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›