Zoti Berluskoni, na kërkoni falje!

Letër e hapur Kryeministrit Berluskoni
Po të mos ishte për deklaratat ironizuese të Kryeministrit italian, vizita e homologut të tij shqiptar, Sali Berisha, më 12 shkurt ndoshta do të kalonte pa u vënë re.
Por në konferencën për shtyp, ndërsa po flitej për luftën e atyre që dëmtojnë imazhin, skafet, gomonet, Berluskoni pohoi: “Do të bëjmë një përjashtim për kë na sjell vajza të bukura”.
Edhe pse Kryeministri italian spikat për deklaratat e tij fatkeqe, vlerësojmë se ajo ç’ka ka deklaruar ai, është një deklaratë ofenduese, në adresë të grave shqiptare, që jetojnë dhe punojnë ndershmërisht në Itali dhe Shqipëri, si dhe një tallje me një nga plagët më të rënda sociale, të tranzicionit demokratik shqiptar: trafiku i qenieve njerëzore.
Kryeministri italian duhet të jetë në dijeni se tashmë ka kush i çon në Itali “vajzat e bukura shqiptare” dhe i vendos në punë si mish i freskët në rrugët e Italisë, ose në qendrat e rreme estetike, ku të kamurit e Italisë, i përdorin ato për t’u çliruar nga pesha e rëndë e punës dhe përgjegjësisë.
Janë trafikantët e qenieve njerëzore dhe krimi i organizuar që menaxhon shfrytëzimin e prostitucionit.
Të ngresh një argument kaq delikat dhe të dhimbshëm, përmes batutave pa vend, seksiste dhe maskiliste, fyen punën dhe përpjekjen e atyre të cilët luftojnë që gruaja të mos trajtohet si një send, por të ketë të drejta të barabarta.
Por lëndon edhe ato familje shqiptare të prekura nga drama e një vajze të rrëmbyer, dhunuar, izoluara, ndonjëherë e humbur përgjithmonë.
Jemi thellësisht të keqardhur dhe të hidhëruar që Kryeministri i vendit ku jetojmë dhe aspirojmë për t’u bërë nënshtetas, të shfaqë një qëndrim tejmase ofendues, në adresë të vendit tonë të origjinës dhe jep një imazh kaq të prapambetur të Italisë.
I kërkojmë zyrtarisht ndjesë të gjitha grave shqiptare që punojnë dhe jetojnë në Itali.
Nënshkruesit
Irida Cami- Gazetare Keti Biçoku - Gazetare Brunilda Ternova - Gazetare, përkthyeseMigena Proi – Gazetare, shkrimtareArta Nikaj – Presidente e Shoqatës Studentore Shqiptare, FirenceGaldiola Jahoj – Shoqata shqiptare “Rilindja”, ArezzoErmelinda Nikaj Mundija – “AlbaPrato”, shoqata shqiptare, PratoAnila Murataj – zëvendëspresidente e Shoqatës Shqiptare Juvenilja, ForlìLiljana Picari – Presidentja e shoqatës “Të integrohemi së bashku”, CerviaSonila Reka - ASAP, Shoqata e Studentëve Shqiptarë, Peruxhia Arlid Hajro – Lidhja e Shkrimtarëve në ToskanaIsmail Ademi – Konsulent ndërkulturor Olti Buzi – Redaktor i “Albanianews”Darien Levani – Shkrimtar Alban Trungu – “Albamedia”Emila Markgjonaj – Psikologe Ledia Miraka – Avokate Artan Shabani - Artiste shqiptare Edi Muka - Kurator arti Zvicër Joa Ljungberg – Kurator arti Zvicër Gaia Fugazza – Artiste, Francë Dr. Gëzim Alpion, Universiteti Birmingham (UK)Durim Lika – Shoqata “Scanderbeg”, ParmaSisley Xhafa – Artiste SHBA
#