Konsulli grek: Pse kërkova largimin e Spiro Licit
Konsulli i përgjithshëm grek në Korçë, Theodhoros Ikonomu, ka reaguar pas deklaratës së kreut të “Omonia”-s, Spiro Lici, se konsullata greke nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet e “Omonia”-s. Konsulli grek tha se ka pasur dijeni për abuzime të shumta bazuar në ankesat që kanë ardhur nga qytetarët, duke e konsideruar të drejtë kërkesën për largimin e Licit edhe pse nuk është konsullata ajo që vendos shkarkimin e kreut të një organizate.
"Problemet janë të njohura me kryetarin e ‘Omonia’-s, por thjesht nuk do që t’i pranojë. Që kur kam ardhur me detyrë në Korçë, jam informuar se kryetari i ‘Omonia’-s merrte një sasi eurosh, nuk e di saktë shumën se sa, që të dërgonte fëmijë në konviktet greke në Kozanë dhe Selanik. Këto vende caktohen nga institucionet falas dhe jo nga zoti Lici, ndërsa ai kërkonte para. Për këtë është ngritur tërë opinioni i Korçës, me një akuzë që ai e pranoi që është e vërtetë, por ka thënë se paratë nuk i merr për vete, por për ‘Omonia’-n”, tha konsulli Ikonomu. Ai shtoi se “kur i kërkuam të paraqiste llogaritë për derdhjen e lekëve, ai nuk pranoi dhe nuk kishte dokumente. Ku kanë shkuar këto para”?
Përfaqësuesi i Greqisë në Korçë thotë se ka edhe abuzime të tjera. “Prej gjashtë muajsh kërkon viza dhe mundohet t’i kalojë me dokumente justifikuese që janë false. Mundohet të kalojë persona që kërkohen nga Interpoli, ose nuk kanë të drejtë të shkelin në shtetet e zonës Shengen”, tha konsulli.
Një akuzë tjetër që Ikonomu ngre është abuzimi me ndihmat. “Kishin ardhur ndihma nga Greqia falas për institucionet e Korçës dhe për familje me mungesa ekonomike dhe ai i shiste, nuk i ndante falas ato”, tha ai, ndërsa theksoi se “ka ardhur momenti të japë llogari për veprimet e tij, sepse autoriteti i ‘Omonia’-s si organizatë dobësohet nga këto veprime”.
Sa i përket shkresës së lëshuar prej tij për shkarkimin e kreu të “Omonia”-s, konsulli grek tha se “në bazë të këtyre fakteve jam i detyruar t’i kërkoj zotit Lici të largohet dhe kjo ka qenë kërkesa drejtuar ‘Omonia’-s që e kam konsideruar një mendim të drejtë, edhe pse nuk është konsullata ajo që vendos shkarkimin. Kam kërkuar largimin e Licit dhe të lërë të tjerët të marrin drejtimin e kësaj organizate si njerëz të ndershëm dhe të përgjegjshëm, që duhet të marrin në dorë dhe të bëjnë realitet objektivat e organizatës. Mendoj se diçka duhet të bëhet”.
Në fund, konsulli thekson se ushtrimi i dhunës fizike ndaj njërit prej anëtarëve të “Omonia”-s është një fakt më shumë pse Lici nuk mund ta përfaqësojë organizatën e minoritetit grek në Korçë.
#