E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhet e Mourinhos, pengojnë Villas-Boasin

Presidenti i Portos, Jorge Nuno Pinto da Costa ka thënë se Andre-Villas Boas do ta ketë vështirë të arrijë sukses me Chelsean përderisa futbollistët e tij vazhdojnë të jenë në kontakt me ish trajnerin, Jose Mourinho. Kreu i gjigantit portugez, i cili ka punuar me të dy strategët, beson se në rast të largimit nga Chelsea, Villas-Boas do të merr drejtimin e Interit.

Andre Villas-Boas do ta ketë të vështirë të arrijë sukses në Chelsea përderisa futbollistët e tij janë ende në kontakt me ish trajnerin Jose Mourinho, ka njoftuar presidenti i Portos, Jorge Nuno Pinto da Costa.

Të dy trajnerët bënë emër në Porto te presidenti Pinto Da Costa i cili ka njoftuar se Mourinho është ende në kontakt me ish futbollistët e tij nga Stamford Bridge. Pinto da Costa po ashtu theksoi se pronari i Chelseas, Roman Abramovich është i vetëdijshëm për situatën.

Komentet e tij do të përforcojnë spekulimet e javëve të kaluara që sugjeronin se trajneri i Real Madridit, Mourinho është duke menduar për rikthim në Stamford Bridge.

“Nuk jam aspak i dëshpëruar me atë që ka bërë Villas-Boas. Ai është duke punuar mirë, është kualifikuar në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, dhe është në garë për gjithçka. Ai do të jetë i suksesshëm me Chelsean sepse kontrata e tij nuk është vetëm për një vit. Ai ka mjaft kohë të komponojë ekipin, por ai nuk do të mund ta bëjë këtë përderisa ka futbollistë, të cilët shkëmbejnë mesazhe me Mourinhon. Abramovich është i vetëdijshëm për këtë” tha Pindo da Costa gjatë një interviste me Gazzetta dello Sport.

Chelsea pagoi rreth 16 milionë euro për lirimin e Villas-Boasit nga Porto gjatë verës së vitit të kaluar dhe Pinto da Costa ka insistuar se trajneri do të mbajë punën e tij nëse Chelsea përfundon në katër pozitat e para në Premierligë. Nëse jo, atëherë do të shkojë në Inter. Por, kreu i Portos mendon se Villas-Boas gaboi që mori drejtimin e Chelseas.

“E vetmja gjë që mund ti kushtojë me largim nga detyra është nëse nuk kualifikohet për në Ligën e Kampionëve. Nëse largohet nga Chelsea, ai do të jetë trajner i ardhshëm i Interit. Villas-Boas u largua për shkak të ofertës që bëri Chelsea. Për më tepër, ajo që qëndroi si barrë në mendimet e tij sa ishte në Porto ishin vështirësitë me të cilat do të përballej për të rivalizuar triumfin e Mourinhos në Ligën e Kampionëve më 2004. Ai u largua duke menduar se Chelsea paraqet mundësi të veçantë edhe pse për mua ishte një gabim” vazhdoi ai.

Pinto da Costa ka pranuar se nuk kishte pritur që një klub do të jetë i gatshëm të paguajë dëmshpërblimin e caktuar në kontratën e Villas-Boasit me Porton. “Nuk kemi pritur se një klub do të paguajë dëmshpërblimin e tij. Ne jemi stacion i futbollistëve dhe trajnerëve. Për këtë arsye kam krijuar dëmshpërblimet” përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›