E Shtunë, 31 Tetor 2026

Novi: Luftëtari do ta pasurojë serinë e fitoreve

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Ndihmëstrajneri Neritan Novi thekson se për ekipin gjirokastrit nuk ka rëndësi emri i kundërshtarit, pasi llogarit 3 pikë për çdo javë

Profetët e kanë parashikuar vitin 2012 apokaliptik, por deri tani ai po rezulton i tillë për kampionatet e futbollit tonë, përderisa në disa ndeshje dhuna është shfaqur medinjitet, ndërkohë që si rezultat i motit të vrazhdë disa ndeshje janë shtyrë dhe tani po shtyhen të gjitha. Një nga këto është edhe ajo e vitit të kaluar, midis Luftëtarit dhe Kukësit, që do të ishte e para përplasje mes tyre, por tani po krijohet përshtypja sikur nuk do të ndodhë kurrë.

Kjo ndeshje nuk u luajt më 24 dhjetor 2011, u zvarrit për më 15 shkurt dhe tani ndoshta për më 22 shkurt, sepse u shty java e 17-të, por ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar. Ndeshja në Vlorë, që u fitua 1-2 nga gjirokastritët, pati si të veçantë faktin se asnjëri prej tyre nuk u ndëshkua me karton. Gjithashtu, atë që nuk ka bërë në ndeshjet me Besëlidhjen dhe Gramshin, kur humnbiste 1-0, Luftëtari e bëri këtë radhë, duke përmbysur rezultatin.

Grupi Dje paradite, Luftëtari u nda në dy grupe. Pjesa më e madhe e futbollistëve, me në krye konstruktorin e këtij ekipit për fazën e dytë, trajnerin Nevil Dede, iu drejtua terreneve sportive pranë Liqenit të Viroit, kurse pjesa tjetër me 6 futbollistë, midis tyre edhe kapiteni Devolli, u stërvit në mjediset anësore të stadiumit Gjirokastra, nën drejtimin e ndihmëstrajnerit Neritan Novi.

Novi Krahu i djathtë i trajnerit Nevil Dede, Neritan Novi, pas fitores së parë si pjesëtar i stafit teknik, shprehet: E theksoj që në fillim se ekipi ynë është i destinuar ta pasurojë serinë e fitoreve, pavarësisht  se me cilin kundërshtar do të luajë, me Kukësin apo me Himarën. Në Vlorë ekipi e mori ndeshjen pak lehtë, por, pas golit që pësuam, jo vetëm u arrit barazimi, por edhe fitorja.

Pjesa e dytë ishte e gjitha nën kontrollin tonë. Ekipi, në shumicën e kohës, funksionoi siç dëshironim dhe tregoi se është më i konsoliduari. Ne jemi duke punuar për të minimizuar edhe ato të meta që kemi konstatuar, veçanërisht në planin psikologjik, për të çrrenjosur sa më shumë tendencat e euforisë që shfaqen në ndonjë individ.

Nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar se kur do të luhet ndeshja me Kukësin, kështu që më tepër mendojmë se do të luajmë me Himarën më 25 shkurt, kur do të zhvillohet java e 17-të. Shtyrja e kampionatit për shkak të motit na ndihmon për riaftësimin e disa lojtaëve tanë, duke përfshirë edhe golashënuesin Nora. Deri në atë datë do të kemi një ekip më të kompletuar për të korrur fitoren e radhës.

Shtyrja e kampionatit, pozitive për gjirokastritët

Kjo shtyrje kampionatesh për ekipe të ndryshme ka efekte të ndryshme. Për Luftëtarin mund të themi se është favorizuese, pasi në ndeshjen e fundit, që në minutën e 10-të, doli jashtë luftimit  golashënuesi më i mirë i tij, Arlind Nora, i cili kësisoj deri në rifillimin e kampionatit do të jetë i gatshëm. Po ashtu, edhe të dëmtuarit e tjerë si Shalari, Ramadani dhe Braho mund  të riaftësohen dhe do të jenë të gatshëm për të luajtur qoftë edhe një ndeshje më shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›