Dodik: Mbështes të gjitha aktivitetet e serbëve në veri

Kryetari i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik ka thënë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se do t’i mbështesë të gjitha aktivitetet e serbëve që luftojnë për të drejtat e tyre.
Dodik u ka thënë gazetarëve se lufta e serbëve të Kosovës për të drejta politike, është absolutisht e drejtë dhe se ata duhet të respektohen nga të gjithë, përfshirë komunitetin ndërkombëtar dhe shqiptarët.
“Republika Serbe nuk ka lejuar që Bosnja dhe Hercegovina ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse procedura e krijimit të Kosovës është motivuar me dhunën e komunitetit ndërkombëtar dhe me dëshirën për t’i përulur serbët. Ne do të vazhdojmë me këtë qëndrim”, ka thënë Dodik, transmeton REL.
Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri më tash është njohur nga 87 shtete. Haiti është vendi i fundit që ka pranuar shtetësinë kosovare.