E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhi, Topi: Politika të gjejë gjuhën e komunikimit

Presidenti i Republikës deklaroi se politika, në mjaft raste jo shumë bashkëpunuese, ka bërë atë që Bashkimi Europian të vonojë përgjigjen pozitive për të marrë statusin e vendit kandidat.

Konispol- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka vijuar vizitën e tij në jug të vendit duke përforcuar mesazhin për dialog. Gjatë vizitës së zhvilluar në komunën Xarë të rrethit të Sarandës, Topi u shpreh se njerëzit kanë nevojë të dialogojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. “Njerëzit kanë nevojë që të dialogojnë me njëri-tjetrin. Njerëzit kanë nevojë që të jenë në harmoni me njëri-tjetrin. Njerëzit kanë nevojë që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në punën e tyre të frytshme, jo për ta kaluar jetën në parazitizëm. Shembulli më i qartë i njerëzve të punës është pikërisht ajo që ne shohim këtu, sepse e tregon vetë se si është transformuar natyra, si është transformuar bujqësia. Por, patjetër duhet të falënderojmë edhe të gjithë ato investime që kanë ardhur nëpërmjet shtetit, por edhe nëpërmjet projekteve të ndryshme që asistojnë në zonën tuaj”, - tha dje Topi duke përshëndetur edhe punën e drejtpërdrejtë të kryetarit të komunës Xarë, Dhimo Kote, puna e të cilit u vlerësua pak ditë më parë edhe nga kryetari i opozitës, Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Kongres. Presidenti i Republikës e përfundoi vizitën e tij me një ndalesë të programuar në Bashkinë e Konispolit. Duke vlerësuar kontributin e banorëve të Konispolit në ruajtjen e klimës së komunikimit me fqinjin grek, Topi tha se është e rëndësishme bashkëpunimi. “Ne jemi gjithmonë të shqetësuar që politika, në mjaft raste jo shumë bashkëpunuese, ka bërë atë që Bashkimi Europian të vonojë përgjigjen pozitive për të marrë statusin e vendit kandidat. Këtu nuk po bëj një bisedë thjesht për politikën dhe për të bërë politikë, por për atë që ne ndjejmë si nevojë kudo, qofshin ata që banojnë në Tiranë, qofshin banorët e Konispolit dhe sidomos këtu, sepse duke u anëtarësuar ne në Bashkimin Europian rritet ndjeshëm dhe numri i projekteve dhe financimet për projekte, që janë në radhë të parë për zonat ndërkufitare. Kështu që ju përfitoni më shumë. Ju i keni mundësitë të rrisni standardet, prandaj jeni ju, dhe unë në këtë rast po bëhem dhe interpret i zërit tuaj, që politika të gjejë gjuhën e komunikimit në radhë të parë në funksion të interesave të vendit, në interes të banorëve të thjeshtë kudo ata jetojnë”, - tha Topi. Presidenti i Republikës u shpreh se gjuha e harmonisë, gjuha e komunikimit, gjuha që sot përdor çdo vend i Bashkimit Europian, duhet të përdoret edhe nga shqiptarët. “Ju s’i keni kërkuar askujt që të vijë të punojë në arën tuaj. Por i keni kërkuar që gjuha e konfliktit të mos jetë gjuha që sot ne dëgjojmë çdo ditë në mënyrë të pandërprerë nëpër mjetet e komunikimit masiv, në televizion, por të nxitemi nga një frymë tjetër, sepse duke u anëtarësuar në Bashkimin Europian rritet mundësia që çdo njeri të ndjehet më i qetë, të ndjehet më i asistuar nga pushteti, qoftë pushteti qendror, qoftë pushteti vendor, por edhe mundësitë e komunikimit me vendin fqinj, me Greqinë të jenë akoma më të mëdha”,- tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›