E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet pakti PD-PS, ja nga çfarë hoqën dorë socialistët

SHKRUAN: Fejzi Braushi 09-11-2011 11:37

Komisioni i reformës zgjedhore nuk do të ngrihet pa u miratuar më parë me votat e PS-së dy-tre ligje me 84 vota. Reforma parlamentare nuk do të bëhet mbi një material të hartuar nga PS-ja, por do të përshtatet me atë të PE-së

Partia Socialiste do të dorëzojë sot paradite në Kuvend planin e saj të detajuar të veprimit për mënyrën sesi do të procedohet me ligjet me 3/5, për të konkretizuar kështu në vepra konsensusin që palët kanë arritur në parim për disa nga pikat e paktit dhjetëpikësh të propozuar nga kreu socialist Edi Rama. Megjithëse vetë deputetët socialistë i bënë të ditur dje kolegëve të tyre të djathtë të Komisionit të Ligjeve se ky dokument do paraqitej gjatë ditës së djeshme, kjo nuk ka ndodhur. Shkaqet kanë qenë teknike dhe burime nga opozita kanë bërë të ditur se gjatë mbledhjes së sotme pritet që kryetarit të komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli, t’i dorëzohet zyrtarisht kalendari i shqyrtimit të nismave ligjore që për t’u miratuar kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Nuk dihet ende nëse kalendari do të pranohet nga mazhoranca ashtu siç edhe do të propozohet nga opozita, por ky përbën hapin e parë drejt vënies në jetë të marrëveshjes së pashkruar mes opozitës dhe mazhorancës për realizimin e disa prej pikave që përmban pakti i ofruar nga kreu socialist disa javë më parë.

Marrëveshja

Burime nga të dyja partitë e mëdha kanë konfirmuar dje arritjen e një konsensusi mes tyre. Përveç zgjedhjes së këshillit drejtues të Bankës së Shqipërisë, i cili u zbatua javën e shkuar, palët kanë rënë dakord edhe për tri çështje të tjera: reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe miratimin e ligjeve me 3/5. Kështu mësohet se mazhoranca ka rënë dakord që të procedohet me dy reformat, ndërkohë që nga ana tjetër opozita ka vendosur që të nisë miratimin e atyre nismave ligjore që për t’u miratuar në Kuvend kërkojnë me patjetër votën e saj. Lëshime reciproke këto, për realizimin e të cilave natyrisht kërkohet të bëhet shumë kujdes nga të dyja palët. Ndaj të dyja partitë kryesore kanë vendosur të veprojnë si në një “fushë të minuar”, duke parë pas çdo lëvizjeje reagimin e kundërshtarit politik. Burime pranë të dy kampeve politike kanë treguar dje se zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të nisë nga miratimi i disa prej nismave që kërkojnë shumicë të cilësuar votash për t’u miratuar. Vetëm pasi opozita të ketë treguar vullnet për miratimin e tre apo katër nismave të para ligjore, atëherë mazhoranca nga ana tjetër do të nisë të procedojë me ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, si dhe ngritjen e një grupi pune për reformën parlamentare. Por edhe në këtë rast palët do të tregohen tepër të rezervuara, pasi opozita do të bjerë dakord që të kalojë fillimisht vetëm ato projektligje që nuk kërkojnë ndonjë ndërhyrje të madhe, siç mund të jetë Kodi Detar apo ai Ajror.

Të tjerat

Nga ana tjetër pakti i arritur për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, përveçse do të jetë i kushtëzuar nga vota që do të japë opozita në sallë, bën të mundur që në projektvendimin që do t’i paraqitet seancës për miratim të mos përfshihen kushtëzimet që ajo të trajtojë përtej 52 rekomandimeve të ODIHR-it dhe që për mosmarrëveshjet që do të dalin gjatë punës të mos i drejtohen posaçërisht Komisionit të Venecias. Ndërkohë që për reformën parlamentare, edhe kjo e kushtëzuar me qëndrimin që do të mbajë opozita për ligjet me 3/5, palët kanë rënë dakord që nisma për ndryshimin e rregullores, e paraqitur nga PS-ja, të mos përbëjë më një material mbi të cilin do duhet të punohet, por të ngrihet një grup pune me nga dy përfaqësues nga secila palë, i cili do të realizojë përshtatjen e rregullores së Kuvendit tonë me atë të Parlamentit Europian. Ndërkohë që negociatorët e të dyja palëve mësohet se po bisedojnë edhe për një pikë tjetër të paktit, zgjedhjen e kreut të Avokatit të Popullit, të cilin mazhoranca ka shprehur publikisht vullnetin e saj që atë ta propozojë opozita.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›