Programi i PS-së, Wolfarth: Është qeverisës, po si?!
Ambasadori i OSBE-së ka komentuar dje edhe negociatat mes dy partive kryesore në vend lidhur me reformën parlamentare dhe atë zgjedhore. Wolfarth tha se sheh hapa konstruktivë, por kërkoi që partitë të kalojnë nga fjalët në angazhime konkrete.
TIRANË Për ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, programi i Partisë Socialiste i miratuar në kongresin e së shtunës është program qeverisës, por ajo çka e bën skeptik ambasadorin është mënyra sesi do të realizohet ky program. “Është gjë e mirë që Partia Socialiste ofron një program, i cili mund të jetë pas 2 vitesh pjesë e qeverisjes, por në këtë rast duhen bërë pyetjet si do vihet në jetë një program dhe sa ky program shkon me buxhetin”, - tha Wolfarth. Ambasadori i OSBE-së shtoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë që ky program të ofrojë qartësi, për të zgjedhur parlamentarët e 2013-ës. Në programin e Partisë Socialiste të bërë publik pak kohë më parë thuhet se me ardhjen në pushtet socialistët do të sigurojnë 300 mijë vende pune brenda mandatit të parë qeverisës. Socialistët kanë garantuar se do të anulojnë të gjitha koncesionet e paligjshme, duke premtuar rikthim të transparencës në procedurat e tenderave. PS-ja ka paraqitur një reformë në sistemin e taksave, duke hequr barrën e taksës së sheshtë dhe duke vendosur drejtësi përmes tatimit progresiv. Në program përfshihet edhe pesëfishim i financimit publik për bujqësinë, ulje e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, heqje e sistemit të referencave, dëmshpërblim progresiv për ish-të përndjekurit dhe zgjidhje përfundimtare të çështjes së pronës.
Reforma
Ambasadori i OSBE-së ka komentuar dje edhe negociatat mes dy partive kryesore në vend lidhur me reformën parlamentare dhe atë zgjedhore. Wolfarth tha se sheh hapa konstruktivë, por kërkoi që partitë të kalojnë nga fjalët në angazhime konkrete.
“Miratimi i ligjeve me 3/5-at është i rëndësishëm, ku pjesë e tyre do të jetë edhe miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ne shohim hapa shumë konstruktivë të ndërmarrë nga dy partitë politike. Unë thjesht shpresoj të shoh zhvillime konkrete, si në komisionin respektiv të Ligjeve në Kuvend, ashtu edhe në komisionin për reformën zgjedhore. Është shumë e rëndësishme që fillimi i punës me fjalë të pasohet me vepra nga të dyja forcat politike”,- tha dje Wolfarth. Ligjet me 3/5-at, ngritja e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dhe nisja nga puna për reformën parlamentare, janë çështjet për të cilat PS-ja e PD-ja kanë mundur të arrijnë një gjuhë të përbashkët. Dy ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, deputeti Damian Gjiknuri deklaroi se për reformën zgjedhore është arritur një mirëkuptim me demokratët. E njëjta gjë po ndodh edhe me reformën parlamentare, ku palët janë angazhuar që javën tjetër për këtë çështje të ngrihet një komision i posaçëm parlamentar.