Punimet për tunelin, ndotet Uji i Ftohtë
Ndër më të njohurit në Vlorë, burimi i Ujit të Ftohtë tek tuneli është bllokuar. Punimet për zgjerimin e tunelit, pjesë e projektit të rikonstruksionit në vijim të rrugës nacionale Vlorë-Sarandë, kanë qenë shkak i këtij bllokimi, ndërsa në anën tjetër të tunelit, pjesë dherash janë hedhur në det. Pranë Agjencisë Rajonale Vlorë, kjo është cilësuar si situatë alarmante, edhe pse nuk dihet ende sa shkon niveli i dëmtimit. 
Kreu i ARM të qarkut Vlorë, Geron Gumbardhi, tha se dje kemi bërë inspektimin në tunelin e Vlorës, ku po kryhen punimet për zgjerimin e tij. Situata është alarmuese. Ne si agjenci rajonale e mjedisit, nuk morëm menjëherë masë me gjobë, pasi nuk na u paraqit asnjë nga përfaqësuesit e firmës. Lamë një akt kontrolli me një afat treditor, ku ata të paraqisin gjithë dokumentacionin përkatës. Ne si agjenci rajonele nuk jemi të informuar për firmën, si po kryhen punimet dhe a ka leje mjedisore.
Nuk na është paraqitur asnjë plan masash, për vetë faktin se tuneli është mbi det dhe është mjaft e vështirë, firma duhet të kishte paraqitur një plan masash për pjesën e burimit dhe bregdetin, ku do të paraqiteshin qartë si të do ruheshin ato. Përsa u përket dëmtimeve, ka masa shkëmbore të hedhura në burim, edhe në det. Ne do të marrim jo vetëm masë me gjobë, por edhe me pezullim. Për vetë faktin se tuneli është mbi det, nuk e di si firma do ta realizojë këtë vepër, pasi ne nuk kemi një plan si do të ruhet mjedisi këtu. Nëse situata mbetet e tillë, pezullimi do të vijojë derisa të bëhet rehabilitimi, tha ai.
Problemi i hedhjeve të inerteve në det është i njohur në qarkun e Vlorës, madje i denoncuar herë pas here, por nuk ka asnjë vendim për rehabilitimin e këtyre zonave.
Punimet për zgjerimin e tunelit në Ujë të Ftohtë nisën në tetor të këtij viti, financuar nga qeveria me një vlerë prej rreth 75 milionë lekë. / Anila Peçi