Mejdani, negociator mes Ramës e Metës
Takimi me drejtues të LSI-së, tek hotel “Tirana”
Flitet për organizimin e një takimi mes krerëve
Të vjetrit e Partisë Socialiste, ish-themelues të saj, marrin në dorë frenat e bashkimit të së majtës. Servet Pëllumbi, Rexhep Mejdani i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së LSI-së për të bërë negociatorin mes saj dhe PS-së. Në një takim të zhvilluar dje në hotel “Tirana” dy ish-themeluesit e PS-së kanë biseduar me drejtues të LSI-së, Sabit Brokajn e Ndre Legisin, për mundësitë e një strategjie që do të çojë në një takim mes dy krerëve të partive të majta, Rama e Meta. Në takim ishte i pranishëm dhe historiani Moikom Zeqo. Burime nga takimi thanë dje për “standard” se grupi i të vjetërve të PS-së kanë diskutuar të mandatojnë njërin prej tyre që të takojë kreun e PS-së, Edi Rama. Të njëjtat burime saktësuan se ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, ka pranuar të jetë ai që do të marrë përsipër organizimin e një takimi Rama-Meta. Gjithsesi një takim tjetër në ditët në vijim do të përcaktojë më qartë strategjinë e negociatave. Pas këtij takimi, të ashtuquajturat negociata që nisën ditën e diel mes këtij grupi, hyjnë në një tjetër fazë. Edhe pse kanë pranuar se nuk kanë mandat zyrtar nga ana e Partisë Socialiste, të vjetrit e kësaj partie, Mejdani e Pëllumbi, pranuan ofertën e LSI-së, duke tentuar që të hedhin hapa konkretë në idenë për të bashkuar të majtën para zgjedhjeve të 2009-ës. Thelbi i këtij bashkimi mbetet gjithmonë përfshirja e LSI-së në administrimin e zgjedhjeve dhe duket se në këtë pikë do të nisin negociatat, duke vazhduar më tej me modalitetet e një koalicioni të përbashkët, qoftë para apo pas zgjedhjeve. Koha që kanë në dispozicion është e pakët, pasi pritet që Kodi Zgjedhor të miratohet gjatë këtij sesioni. Partia Socialiste ka insistuar mjaft për miratimin e tij, duke bojkotuar edhe Kuvendin, duke iu trembur pikërisht lëvizjeve të ish-aleatit apo edhe faktorëve brenda saj për arritjen e konsensusit mes palëve. LSI ka bërë thirrje të herëpashershme për tu takuar me Ramën dhe ka ndeshur në refuzimin e plotë të Edi Ramës, i cili e quan çështje të mbyllur Kodin Zgjedhor. Ajo çfarë i dha kthesë situatës është qëndrimi i tre personazheve të Partisë Socialiste që në harkun kohor të 2 ditëve bënë thirrje për bashkim. LSI hodhi një tjetër hap konkret duke i ndryshuar krejtësisht natyrën e kërkesës për dialog. Ajo mandatoi Sabit Brokaj që të negociojnë me Edi Ramën për një takim në prani të tyre. Mejdani, Agolli dhe Pëllumbi prej kohësh kanë shprehur kritika në adresë të Ramës, jo vetëm në lidhje me Ilir Metën, por edhe për bashkëpunimin me mazhorancën, sidomos për Kushtetutën. Ndërkohë që Servet Pëllumbi ka intensifikuar kritikat edhe për filozofitë politike që përhap Rama, qëndrime të ndryshme të tij.
Mejdani-Rama, një marrëdhënie mësues-nxënës
Të gjithë e kujtojnë kandidimin e Edi Ramës për kryetar të PS-së për herë të parë në vitin 2004, atëherë kur LSI-ja mbështeste kandidaturën e Rexhep Mejdanit për të larguar Fatos Nanon nga kryesimi i partisë. Rama hodhi një platformë gati të njëjtë me atë Mejdanit, të cilit i drejtohet profesor dhe jo në emër, por dhe vlerësoi maksimalisht kandidaturën e tij edhe pse ishte në garë me të. E njëjta situatë u përsërit në vitin 2005 kur përsëri Rama kandidonte përballë Mejdanit, por këtë herë Mejdani kishte mbështetjen nga grupi i Fatos Nanos, i dorëhequr nga kreu i partisë dhe nga shumica e atyre që nuk donin Ramën në krye të partisë. Përsëri Rama u shfaq me nota vlerësimi ndaj profesorit të tij në politikë, por atëherë kur dukej se gjithçka po shkonte në favor të Mejdanit, peshorja u përmbys dhe me një diferencë jo shumë të madhe votash Rama u bë kryetar. Kongresi i këtij viti do të mbahet mend për votimet kontradiktore, që pasi rrëzoi paketën statusore të Ramës, një ditë më vonë e bëri atë kryetar të partisë. Tashmë do të shihet nëse Rama vazhdon ta konsiderojë Mejdanin mësuesin e tij dhe nëse autoriteti i tij do të jetë aq i fortë sa ta bindë për t’u ulur në tryezë me Ilir Metën.