Zana, Pax Dei dhe paqja
Një përvjetor në ditë Krishtlindjesh. Nuk është aspak rastësi, për korin e njohur Pax Dei, pasi tingujt e tij shpesh herë kanë shoqëruar çdo fundi viti meshat kishtare, duke marrë dhe bekimin e zërave. I vetmi kor operistik i themeluar dhe drejtuar nga mjeshtrja Zana Turku Kashara, që i ka rezistuar viteve të egra të tranzicionit deri në ditët e sotme, ka përmbushur 15 vjetorin e tij. “Pax-Dei”, është formacion i parë koral, në nder të të cilit u organizua dje një ceremoni ku u promovua libri “Zana dhe Pax - Dei i saj” si dhe u dha një film dokumentar kushtuar po këtij kori
Një përvjetor në ditë Krishtlindjesh. Nuk është aspak rastësi, për korin e njohur Pax Dei, pasi tingujt e tij shpesh herë kanë shoqëruar çdo fundi viti meshat kishtare, duke marrë dhe bekimin e zërave në një datë paqeje në të gjithë botën.
Ka qenë një ditë dje, për dirigjenten Suzana Turku për të kaluar në një rrugë qumështi të gjatë, e të vështirë në Shqipëri, e shoqëruar nga një grup zërash, si një ogur qiellor edhe për këtë vend.
I vetmi kor operistik i themeluar dhe drejtuar nga mjeshtrja Zana Turku Kashara, që i ka rezistuar viteve të egra të tranzicionit deri në ditët e sotme, ka përmbushur 15 vjetorin e tij. “Pax-Dei”, është formacion i parë koral, në nder të cilit u organizua dje një ceremoni ku u promovua libri “Zana dhe Pax - Dei i saj” me autor Zamir Këlliçi dhe Agron Gashi si dhe u shfaq një film dokumentar me metrazh të shkurt kushtuar po këtij kori me autorë Ëngjëll Ndocaj dhe Bujar Kore në hollin koncertor të T.K.O.B. Personalitete të artit ndër vite, të fushës politike, e dashamirës të saj kanë qenë të pranishëm gjatë këtij aktiviteti të cilët mes urimeve nuk kursyen edhe konsideratat kundrejt punës së saj prej 15 vitesh në këtë formacion, ku mes tyre ishte drejtori i teatrit të operës dhe baletit Zhani Ciko i cili u shpreh se “Zana Turku ishte ndër të parat artiste që arriti të ndërtonte një kor të tillë në ditë të vështira të tranzicionit ku me tyre spikateshin nota të pastra paqeje. E gjitha puna e saj i është dedikuar artit shqiptar duke e pasuruar atë gjatë këtyre viteve edhe me element dhe kultura të reja”. Ciko vijon duke shpjeguar se “kënga shqiptare e kishte zanafillën në motivet patriotike, lirike por ishte Zana ajo që i ndërthuri këto element edhe me ngjyra të tjera duke na dhenë një ansambël që zhvillon një bashkësi tingujsh”. Drejtori Ciko e ka cilësuar dirigjenten si një prej artisteve më të mira që ka disponuar ndonjëherë skena e këtij institucioni, ndërkohë që shfrytëzon rastin për të shprehur edhe progresin e këtij viti artistik në TKOB. “Janë realizuar vepra të mëdha falë artistëve që punojnë si Zana Turku. Madje mund të shtoj se të gjithë dirigjentët janë të sigurt kur ajo vjen në skenë për të drejtuar korin”, thotë Ciko. Përmes një krahasimi të momentit ai barazon nivelit artistik të këtij viti me 20 vitet e mëparshme të teatrit të operës. Ndërsa, Agron Gashi, autori që i ka kushtuar këtij kori një botim, thotë se “gjatë punës mbi të ne kemi ndeshur shumë vështirësi sepse jemi gjendur përballë një mori materialesh, programe koncertesh, por në anën tjetër e kemi pasur edhe shumë të lehtë. Kjo për arsye se kemi hasur në rreth 40 shënime në të cilat paraqiten konsideratat, vlerat dhe shumë vlerësime për punën dhe krijimtarinë e kësaj mjeshtreje nga personalitet të ndryshme të artit”. Ai përmend në këtë rast kompozitorin Çesk Zadeja si autorin e një ndër vlerësimeve të Turkut, ndërkohë që veç tij, kanë qenë të shumta shënimet edhe nga dirigjentët e asaj kohe të cilët kanë vënë në dukje sakrificat dhe lodhjen e punës vetëm për të përfaqësuar sa më mirë vlerat e vendit tonë.
“Kori Pax-Dei u shndërrua në një ambasador të vërtetë duke ngritur sa më lart vlerat dhe imazhin e kombit tonë”, thotë Gashi, i cili shton se libri përmban rreth 600 vepra artistike nën drejtimin e Turkut.
Një moment tjetër i rëndësishëm gjatë kësaj ceremoni ishte edhe shfaqja e një filmi dokumentar realizuar nga RTSH me autorë Ëngjëll Ndocaj dhe Bujar Kore. Produksioni titullohej “Mjeshtëria e Duarve” i cili rrëfente jetën e saj artistike me korin Pax-Dei. Gjithçka fillonte me këngën “Biçikleta”, që për Zanën dallohet si një ndër materialet e para muzikore të kënduara në festival. Duke pasur më tej me ngjarjet më të rëndësishme të karrierës së saj si një dialog me veten ajo kujton me radhë dhjetëra aktivitete dhe mbrëmje koncertore, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Po ashtu ajo shkëput edhe momentet kur ishte pedagoge në Akademinë e arteve, apo kur kishte marrë pjesë si aktore në filmin “Guximtarët”. Ndërkohë që të pranishëm të tjerë ishin edhe Zonja e parë e vendit, Zj. Liri Berisha, ministri i MTKRS Ylli Pango e shumë të tjerë.
Kori “Pax Dei” lindi në vitin 1993 dhe është i pari formacion koral në llojin e vet në historinë e muzikës shqiptare, një formacion solid i përbërë nga 21 muzikantë të pasionuar dhe profesionalisht e vokalisht të mirë përgatitur. Ai është një kor i aftë për të kënduar bukur: muzikën religjioze (musica sacra) të periudhave dhe stileve të ndryshme, muzikën korale para klasike e klasike dhe të periudhave të mëvonshme, deri në ato bashkëkohore (moderne), muzikën amerikane dhe evropiane, muzikë tabu, e ndaluar në të kaluarën. Ky grup koral, ekzekuton me mjeshtri muzikën korale operistike dhe muzikën e zgjedhur korale shqiptare, si populloren, ashtu edhe patriotiken, të përpunuara dhe të përshtatura me mjeshtri për këtë formacion, nga kompozitorët tanë: Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Limoz Dizdari, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Aleksandër Peçi ej. Kori “Pax-Dei” ka dhënë koncerte të suksesshme në Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Maqedoni, Kosovë etj. Në vitin 1994, ky kor është pranuar si anëtar në “Europa Cantat”- Federata Ndërkombëtare e Koreve.