E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Vota përcakton fatin e politikanëve

Nga Express më 14 korrik 2011 në ora 14:08

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas kthimit nga Brukseli, deklaroi se çështja e imunitetit të deputetëve është mirë e përcaktuar me Kushtetutë dhe ligjet, ndërsa deklaratat e ambasadorit amerikan Christopher Dell i sheh si tentim për të ikur nga problemet reale dhe konkrete në Kosovë.

Në një konferencë për media të enjten, Krasniqi theksoi se sundimi i rendit dhe ligjit nuk ka alternativë dhe duhet të vazhdohet të ndiqet rruga që përcakton Kushtetuta dhe ligjet.

“Deputetët edhe në Parlamentin e Bashkimit Evropian nuk kanë fuqi ekzekutive, por kërkesa e tyre është që sundimi i rendit dhe ligjit dhe respektimi i ligjit nuk ka alternativë, ne jemi duke e bërë këtë”, ka thënë Krasniqi.

I pari i Kuvendit u ndal edhe te deklarata e ambasadorit Dell, se Krasniqi po sfidon institucionet ndërkombëtare, duke thënë se këtë deklaratë më shumë e sheh si tentim për të ikur nga problemet reale që ka Kosova.

“Kosova ka më shumë probleme përpara që duhet t’i zgjidhë dhe duhet ta qartëson rrugën e vet për të ecë përpara të natyrës politike, ekonomike, sundimit të rendit dhe ligjit dhe këtë ndoshta e shoh si një tentim për të ikur nga problemet reale dhe konkrete që i ka Kosova dhe të cilat probleme i mundojnë të gjithë qytetarët”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, sa i përket kontestimit që Krasniqi të mbetet në pozitën që është, ai tha se qytetarët janë ata që përcaktojnë fatin e politikanit.

“Unë me sa e di zoti Dell vjen nga një shtet, i cili respekton shumë të drejtën e qytetarëve për të bërë zgjedhje të lira dhe janë qytetarët që përcaktojnë fatin e secilit njeri që hyn në politikë dhe që merret me politikë”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur nëse ka ndonjë tendencë për eliminimin e tij dhe deputetit Fatmir Limaj nga skena politike, Krasniqi nuk deshi të paragjykojë, por ka thënë se po angazhohet për mbrojtjen e rendit dhe të ligjit.

“Unë nuk dua të paragjykoj asgjë, por një gjë mund të them se kjo që po e bëj është për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Nuk merrem shumë me shqetësime dhe fatin personal as timin, as të Fatmirit. Megjithatë, ne jemi në politikë për të bërë diçka të mirë për këtë vend dhe për këtë popull”, ka thënë Krasniqi.

Deri më tash liderët e institucioneve të larta të Kosovës nuk e kanë sqaruar se kush e ka përgjegjësinë për çështjen e imunitetit të deputetëve, të cilët janë nën hetime.

Ditë më parë, EULEX-i, përmes një letre, kishte kërkuar nga Jakup Krasniqi, që të shtrojë në Kuvend çështjen e imunitetit të deputetëve dhe mundësinë e nxjerrjes së një rezolute me të cilën do të mbështetej Qeveria e Kosovës, që këtë çështje ta procedojë në Gjykatën Kushtetuese.

Krasniqi ka prezantuar një draft-letër në Kryesinë e Kuvendit, të cilën ka pretenduar t’ia dërgojë shefit të EULEX-it, ku sqarohet se nuk është përgjegjësi e Kuvendit që të merret me çështjen e imunitetit të deputetëve që janë nën hetime.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është përgjigjur drejtpërdrejt lidhur me çështjen se përgjegjësi e kujt është çështja e imunitetit të deputetëve, por ka thënë se qeveria nuk do të përzihet në punën e institucionit më të lartë ligjvënës të vendit. Megjithatë, kryeministri Thaçi, lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve, topin e hedh te Kuvendit të Kosovës.

Në letrën e Krasniqit për EULEX-in, thuhet se bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Qeveria mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetëve. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›