E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi vendos për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë

Nga Express më 14 korrik 2011 në ora 13:38

(E plotësuar) Gjashtë orë debat nuk kanë arritur t’i bindin shumicën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë pro ndërprerjes së bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo në fakt ishte kërkesë e tri grupeve parlamentare opozitare LDK, Vetëvendosje dhe AAK. Megjithatë, në fund të debatit 46 deputetë kanë votuar kundër ndërprerjes, 37 ishin për, ndërsa dy kanë abstenuar.

Gjatë debatit maratonik, ligjvënësit opozitarë kanë vlerësuar se këto bisedime janë të papërgatitura mirë, ndërsa tri konkluzat e dala nga takimet më 2 korrik, janë konsideruar si të rrezikshme për sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Por kryeministri Hashim Thaçi, i mbështetur nga deputetët e koalicionit qeverisës, këto konkluza i ka vlerësuar si shumë të suksesshme dhe si dobiprurëse për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Debati shpeshherë ka kaluar përtej debatit parlamentar, ndërkaq kryeministri Thaçi gjithë këto i ka quajtur zhurmë politike për qëllime të përfitimit të poenëve politikë.

“Shumë lehtë është të bëhet zhurmë politike për poenë politikë, por zgjedhjet janë në vitin tjetër, fushata nuk ka filluar dhe nuk do të fillojë sivjet. Ju ftoj secilin grup parlamentar të deklarohet a është për, a kundër, sidomos LDK-në dhe AAK-në, të tjerët u deklaruan. Ju kisha ftuar të jeni të përgjegjshëm në veprime. Unë do ta respektoj Kushtetutën në përpikëri me çdo vendim që merrni ju”, ka thënë Thaçi, përderisa ka rikujtuar vijat e kuqe të përcaktuara në rezolutën e Kuvendit të Kosovës.

Ismet Beqiri, shef i GP të LDK-së, ishte ai që u konfrontua më së shumti me kryeministrin Thaçi gjatë këtij debati. Ai ka deklaruar se opozita ka ofruar argumente të mjaftueshme që arsyetojnë nevojën për ndërprerjen e këtyre bisedimeve deri në përgatitjen më të mirë të tyre.

Beqiri megjithatë ka thënë se LDK edhe më tej do të jetë e gatshme ta mbrojë sovranitetin e vendit nga rreziku, që sipas tij, po i kanoset nga bisedimet.

“Ne e kemi obligimin tonë kushtetues, e kemi obligim para votuesve tanë që të përcjellim zhvillimet e mëtejme dhe çdo herë dhe në çdo moment të kemi gatishmërinë që të mbrojmë rrezikimin që ne konsiderojmë se po rrezikohet sovraniteti dhe integriteti i shtetit të Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Kurse, Ardian Gjini, shef i GP të AAK-së, u shpreh se subjekti i tij është pro bisedimeve, mirëpo jo në një pozitë të tillë inferiore çfarë sipas tij, aktualisht e ka Kosova.

“Ne mendojmë se bisedimet janë e vetmja rrugë për t’i zgjidhur dilemat edhe kontradiktat, marrëdhëniet ndërkombëtare, mirëpo Kosova ka shkuar jashtëzakonisht e papërgatitur në këto bisedime, Kosova ka shkuar në një pozitë shumë inferiore, kur nga e gjithë bota akuzohemi për korrupsion, për mbytje të fjalës së lirë, për shkatërrim të sistemit ekonomik të vendit, të administratës e mos t’i përmendi të gjitha të tjerat më radhë. Ky është pozicioni që e ka AAK-ja”, ka thënë Gjini.

Lëvizja Vetëvendosje ishte më e zëshmja kundër këtyre bisedimeve, duke thënë se Serbisë duhet t’i vihen kushtet që së pari ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe ta ndryshojë Kushtetutën e saj, e cila Kosovën e përfshinë si pjesë të shtetit serb.

Debati për bisedimet Kosovë-Serbi, është iniciuar nga tri subjektet parlamentare opozitare pas arritjes së tri marrëveshjeve të ashtuquajtura konkluza, për lëvizjen e lirë të qytetarëve, çështjen e diplomave dhe regjistrat civilë.

Kërkesa për pezullim të bisedimeve, konfrontim me SHBA dhe BE

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës se konkluzionet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk e cenojnë në asnjë mënyrë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ai ka thënë se pohimet se këto konkluzione e zhvlerësojnë pavarësinë e Kosovës, janë amatoreske.

Madje, Thaçi vlerësoi se kërkesa për pezullim të bisedimeve është kërkesë për izolim të Kosovës dhe për konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Kjo ishte përgjigja e kryeministrit Thaçi ndaj opozitës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me ç’rast sërish është përballur me shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri në një polemikë të gjatë.

Kreu i ekzekutivit të vendit, disa herë u është drejtuar deputetëve opozitarë, veçmas atyre të LDK-së me pyetjen: "Urdhëroni deklarohuni, a jeni për apo kundër dialogut"?

Dialogun e zhvilluar me Serbinë, Thaçi e ka cilësuar si një sukses, duke thënë se për herë të parë zyrtarët e Kosovës ulen të barabartë me ata të Serbisë.

“Dialogu do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes së problemeve praktike që janë mbi supet e qytetarëve. Qeveria do të vazhdojë me përgjegjësinë më të lartë t’i kryej obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore, por edhe obligimet ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se nga konkluzionet e BE-së të pranuara nga pala e Kosovës dhe e Serbisë, qytetarët e Kosovës do të ketë përfitime konkrete.

Objektivi kryesor i këtyre bisedimeve, sipas Thaçit, është që qytetarëve të Kosovës t’u sigurohet qarkullim i lirë në tërë rajonin dhe në Evropë. Ai ka siguruar ligjvënësit dhe qytetarët se vijat e kuqe të përcaktuara edhe me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, do të respektohen dhe asnjëherë nuk do të lëvizet jashtë këtyre vijave.

“Kërkesa për pezullim të bisedimeve është kërkesë për izolim të Kosovës dhe për konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit është shprehur i gatshëm të debatojë për çfarëdo aspekti të dialogut dhe të konkluzave të arritura në bisedime, por ka kërkuar nga ligjvënësit opozitarë që politika ditore e tyre, mos të ndikojë mbi qëllimet madhore. (KosovaPress)

Opozita kërkon pezullim të bisedimeve

Subjektet parlamentare në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të enjten kërkuan që bisedimet e nisura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të pezullohen, ndërkaq tri marrëveshjet apo konkluzat e arritura, të mos pranohen. Tri grupet parlamentar opozitare, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, përmes një rekomandimi, kërkuan që bisedimet të përgatiten mirë, Qeveria të sjellë në Kuvend një platformë të qartë, para se të nisin bisedimet dhe që të përcaktohet qartë që çdo marrëveshje e arritur të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me votën e dy të tretave të deputetëve.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se nëse Kuvendi heq dorë nga kërkesa për ratifikimin e marrëveshjeve, atëherë rrezikon që Qeveria të marrë “krahë” dhe në emër të Kosovës të bëjë marrëveshje edhe për çështje më të rëndësishme.

“LDK kërkon që për çdo rezultat të bisedimeve të njoftohet Kuvendi dhe këto rezultate të miratohen në Kuvend. Nëse Qeveria insiston se ato nuk janë marrëveshje, por konkluzione, me këtë ajo kërkon t’i hapë derën vetes për çështje edhe më të rëndësishme, madje për ndonjë status të veçantë të Mitrovicës. Ne themi që nëse këto marrëveshje janë arritur mes dy vendeve sovrane, atëherë duhet të ratifikohen në Kuvend”, ka thënë Beqiri.

Në emër të LDK-së ai ka thënë se tani janë plotësuar kushtet që të bisedohet të pezullohen përkohësisht, derisa të bëhen përgatitjet e duhura.

“LDK konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet që të ketë pezullim të bisedimeve, derisa Qeveria me një platformë të qartë, të përgatiten mirë dhe të ketë harmonizim me SHBA-në dhe BE-në duke mbrojtur interesat tona, që data e bisedimeve të caktohet pas miratimit të kësaj platforme në Kuvend, në mënyrë që marrëveshjet të ratifikohen në Kuvend. Ne propozojmë, flas edhe në emër të grupeve parlamentare opozitare, që Kuvendi të marrë vendim për pezullimin e bisedimeve dhe mos të pranohen tri konkluzat për Kosovën”, ka thënë Beqiri.

Visar Ymeri në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, ka përsëritur kushtet për Serbinë, pa plotësimin e të cilave, sipas tij, nuk duhet të ketë bisedime.

“Pezullimi i këtyre negociatave është i domosdoshme, deri në plotësimin e kushteve nga ana e Serbisë. Kushti kryesor është njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia dhe ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë që e paracakton Kosovën si pjesë të saj. Kuvendi duhet të jetë garant i kushtetutshmërisë, sovranitetit, rendit republikan dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka thënë se kjo qeveri nuk i ka të qarta qëllimet në dialogun me Serbinë.

“Fillimisht, Kosova nuk i ka qartësuar interesat strategjikë, ose të paktën përmes këtyre negociatave nuk po e dëshmon këtë. Kosova nuk i ka sekuencuar veprimet e veta për të maksimizuar përfitimet për vete. Po del që Qeveria e Kosovës nuk e ka kuptuar që politika ndërkombëtare shkon andej nga është më së lehti. Dhe nëse nuk ka një barrierë, atëherë vetëm rritet. Duhet të pezullohen bisedimet, se në vend se të krijohet një situatë që edhe ne të kishim bisedime viza-vi Bashkimit Evropian, ne kemi pozicione të ndryshme. Serbia e ka të qartë, e fiton statusin e kandidatit, sepse ky po i duhet, sepse e di se nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën”, ka thënë Gjini.

Një qëndrim krejtësisht të ndryshëm ka paraqitur shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili ka thënë se duke u mbështetur në rezolutën e Kuvendit, e cila i ka dhënë mbështetje Qeverisë për bisedime, GP i PDK-së do të vazhdojë të ketë edhe më tej besim dhe ta mbështesë delegacionin e Kosovës në këto bisedime.

“Që sot mund të konkludojmë se këto janë konkluza që njohin de-fakto pavarësinë e Kosovës. Partneriteti me miqtë na duhet sot, po aq sa na është dashur gjatë rrugëtimit tonë për krijimin e shtetit. Nuk kemi dyshim në miqtë tanë, sepse sot e gjithmonë do të kemi nevojë për miqësi. Nëse dikush këtu mendon se Kosova nuk ka nevojë për miq, sidomos për ata që bënë shumë për shtetin e ri të Kosovës, e ka shumë gabim”, ka thënë Grabovci, raporton KosovaPress.

Seanca e jashtëzakonshme është thirrur me kërkesë të tri grupeve opozitare, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, të cilat kanë paraqitur kërkesën për pezullimin e bisedimeve me Serbinë. Pas debatit, pritet që kjo kërkesë të vihet në votim.

LDK kërkon pezullimin e bisedimeve

Kuvendi i Kosovës po diskuton në seancë të jashtëzakonshme për konkluzat që kanë dalë nga takimi i fundit më 2 korrik mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme ka ardhur nga tri grupet parlamentare opozitare - LDK, Vetëvendosje dhe AAK.

Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka akuzuar shefen e delegacionit kosovar për bisedime për mosinformim dhe anashkalim të Kuvendit të Kosovës. Ai ka kërkuar pezullimin e bisedimeve, derisa të përpilohet një platformë e qartë për bisedime, sikur është shprehur, në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.

Kurse Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, u shpreh se këto janë konkluza që janë arritur ndërmjet dy shteteve dhe me to, Serbia e ka njohur de fakto pavarësinë e Kosovës.

Sot seanca e jashtëzakonshme për marrëveshjet me Serbinë

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për marrëveshjet apo konkluzat që kanë dalë nga takimi i fundit më 2 korrik mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Seanca e jashtëzakonshme është caktuar dy ditë më parë nga Kryesia e Kuvendit, duke respektuar kështu kërkesën e tri grupeve parlamentare, LDK, Vetëvendosje dhe AAK.

Opozita parlamentare ishte më e bashkuar se asnjëherë më parë për këtë çështje. Kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme opozita e ka dorëzuar me 40 nënshkrime të deputetëve.

Sipas kërkesës, sot në seancë duhet që kryeministri Hashim Thaçi ose kryenegociatorja Edita Tahiri, të raportojnë për marrëveshjet apo konkluzat dhe për aspektet tjera që kanë dalë nga takimet mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se me tri marrëveshjet e arritura, po cenohet sovraniteti dhe shtetësia e Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e pozitës shprehim bindjen se çdo marrëveshje do të jetë në dobi të shtetit të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›