ATK-ja inkasoi 122 milionë euro
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) prezantoi sot raportin e punës gjashtëmujore janar – qershor. Drejtues të këtij institucioni e cilësuan si të suksesshëm këtë periudhë, duke theksuar se janë tejkaluar objektivat e planifikuara.
Në një konferencë për media, drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, ka thënë se gjatë këtij gjashtëmujori Administrata Tatimore ka inkasuar më shumë se 122 milionë nga tatimet dhe 42.1 milionë euro nga kontributet pensionale, ose 3 për qind më shumë se sa ishte planifikuar.
“E gjithë puna e këtij gjashtëmujori është sukses i gjithë stafit të Administratës Tatimore. Po ashtu, përgjatë këtij gjashtëmujori kemi bërë hapa konkretë për të ngritur transparencën në shërbimet tona ndaj tatimpagueseve, të cilët do të kenë më të lehtë informimin dhe kryerjen e obligimeve vullnetare për pjesën të cilës ju takojnë”, ka thënë Haliti.
Gjithashtu, në këtë gjashtëmujor janë përfshirë edhe aktivitet të tjera siç janë 25,128 vizita përmbushëse, 9,829 vizita vëzhguese, fiskalizimi me mbi 4,721 mijë biznese, kurse nga fillimi i procesit të fiskalizimit e deri më tash janë fiskalizuar 11,048 biznese, bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe Doganat, seminare dhe trajnime të ndryshme,16 kallëzime penale, bashkëpunim me përfaqësuesit e bizneseve në adresimin e shqetësimeve të tyre ku si rezultat i gjithë kësaj pune, janë tejkaluar edhe parashikimet për të hyrat duke mbledhur kështu 122,102,701 euro nga Tatimet dhe 42.1 milion euro nga Kontributet Pensionale, tha Haliti.
Ndër të tjera, drejtori i ATK-së përmendi edhe sfidat që i presin këta të fundit gjatë këtij viti, me theks të veçantë realizimin e planit të të hyrave për vitin 2011, implementimin gjithë përfshirës të arkave fiskale, implementimi i deklarimit elektronik për të gjithë tatimpaguesit, si dhe funksionalizimi i linjës së bashkëpunimit pa pagesë, në të cilën tatimpaguesit mund të bëjnë thirrje falas për të marrë informata që u duhen lidhur me dorëzimin e deklaratës së tyre.