E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meshtarët para gjyqit: Dënim me vdekje!

Autori i Lajmit: red.
Persekutimi i Kishës katolike në Shqipëri njeh mjaft dëshmi gojore dhe me dokumentacione, pavarësisht se shumë nga këta të fundit janë zhdukur.
Në numrin e së dielës, gazeta ”Ballkan” përzgjodhi dëshminë e ipeshkvit ndihmës të Shkodrës, Imzot Zef Simoni mbi vitet e errëta të përndjekjes 1944 - 1990 në Shqipëri. Rrëfimi i tij nisi që në verën e paraçlirimitduke treguar për mënyrën e organizmit të krishterëve në Shqipëri, organizimin e celulave rinore anti-religjion, fillimet e dhunës komuniste mbi personalitetet e besimeve fetare, mbylljen e shkollave dhe shoqërive fetare, thellimet e përndjekjeve, persekutimet, tirturat çnjerëzore e deri te pushkatimet e para.
Dëshmia e Imzot Zef Simoni është i ndarë në tre faza, ku siç thamë më lart, faza e parë u botua në numrin e së dielës të gazetës. Dje, vijuam ne fazën e dytë të rrëfimit, që përbëhej fillimisht prej uljes së ashpërsimit kundër klerit e Kishës, por pa hequr dorë kurrë dorë nga lufta kundër fesë: ishte një fazë me dredhi të mëdha, që nisi nga viti 1950, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos, deri në vitin 1960, kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Pas kësaj dekade, imzot Zef Simoni zbulon “Revolucion kultural", përshtjellimi kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare, ku në shtabin kryesor të ”misionit” ishin Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia.
Ndërsa sot, vijojmë dëshminë e tretë të dhe të fundit rreth ciklit ”1944-1990, si u persekutua Kisha Katolike?”...Ashtu si në numrat e kaluar, për të ruajtur sa më origjinale dëshminë e imzot Zef Simonit (sipas Vatikan.org), po e lëmë atë në dialektin e vetë autorit.
Arrestimi i meshtarëve
Faza e tretë mbetet ma e keqja, se punohej për shkatërrimin e Shqipnisë, tue prishë sistematikisht me aq djallëzi e dhunë karakterin e njeriut, rezultat ky i luftës kundër virtyteve njerëzore e kundër Zotit, që shteti e diktatura punonte për ta ba njeriun skllavi i së keqes. Populli kurrë nuk i mbylli kishët. Nuk i kishte mbyllë populli e rinia, por partia e Punës me Enver Hoxhën.
Ky problem i mbylljes së kishave e i të gjitha insitucioneve fetare, që asht fetar e sociologjik, kërkon një studim të hollësishëm e kjo mund të arrihet kur shoqnia shqiptare të ketë një qetësi e përparim, një nivel dhe paanësi. Shpejt nisën arrestimet e meshtarëve. Këto baheshin publikisht, me një lloj gjyqi para popullit për ta demaskue përsonën e pafaj keqas. Ata do të shpreheshin me fjalët ma të këqia kundër Fesë, Zotit, Papatit, tue i quejtë meshtarët trathtarët e Atdheut, se këta kishin bashkëpunue me fashizmin e nazizmin e tash tue i quejtë mashtrues, genjeshtarë e shfrytëzues, të cilët nuk i kanë sjellë shoqnisë të mira e janë kundër kulturës e qytetnimit. I vunë kambën, shtjelmin figurave të shqueme të letërsisë e të kulturës europiane e shqiptare: Mons. Vinçenc Prennushit, Atë Gjergj Fishtës, Dom Ndre Zadejës, Atë Bernardin Palit, Atë Donat Kurtit e Atë Gjon Shllakut; levdojshin me deformime sa meshtarë katolikë të vdekun nga Buzuku, por me ato masa e dredhi, siç e kërkojshin lojët e tyne.
Dom Mark Hasi dhe meshtarë të tjerë, para gjyqit
Me datën 7 të prillit, ora 5 mbasdreke, nxoren në Insitutin Pedagogjik "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës Dom Mark Hasin, ndihmësfamullitar i qytetit të Shkodrës. Ishte grumbullue para sheshit të Institutit një popull i madh. Gjithçka jepej me altoparlanta prej sallës ku zhvillohej kjo ngjarje e randë e që Dom Marku përpiqej të mbronte çashtjet për akuza të randa që i baheshin. Forcat e sigurimit që e rrethojshin, nuk e lejshin të fliste. E së fundi, porsa u err, në këtë natë shumë të keqe me shi e stuhi që pritej të binte, i vunë hekurat nder duer mes
masës së grumbullueme e me makinën jeeps të Sigurimit e dërguen në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës.
Njerëzit e kishin rrethue makinën e çojshin krenat për të pa. Mija njerëzve u vinte keq, për çka shifshin e ndiejshin, pa mujtë të shprehëshin asnjë fjalë. Një terror i madh e përshkonte vendin. Populli e ndiente thellë këtë shtypje e besimtarët e shumtë shifshin se nëpërkambej dhe përsonaliteti i tyne, tue pa herë mbas herët meshtarët e kishës, njerëzit e punës e të dijes në bankat e të akuzuemve. Shka do t i ngjante një meshtari të shuguruem, i ndodh edhe një besimtari të tij, ndjenjave të tija dhe idealeve të tija, sepse çdo besimtar i pagëzuem, ban pjesë në meshtarinë e vështrimit të gjanë.
Mbas një vjeti do të delte në gjyq Dom Mark Hasi, por jo i vetëm. Do të delshin së bashku me atë dhe katër meshtarë të tjerë, në gjyqin që do të bahej në kishën e murgeshave Stigmatine në Shkodër e do të ishin Dom Frano Illia, Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi e Pader Gegë Luma, prej të cilëve dënohet me pushkatim Dom Zef Bici e Dom Mark Dushi. Të tjerët me burgim. Gjyqi do të përfundonte mbas katër ditësh, me 25 prill 1968.
Letra e At Pjetër Mëshkallës për Mehmet Shehun
Me datën 29 prill të vjetit 1967 arrestohet në Insitutin Pedagogjik "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës Atë Pjetër Meshkalla S.J., pak ditë mbas letrës së famshme që patër Meshkalla i shkroi Mehmet Shehut tue i kujtue ata çka i kishte folë në vjetin 1945 në Shtëpinë e Jezuitëve në Tiranë ("Shenim: Kjo letër është botue në nr.3 mars 1998 në "Kumbona e së diellës"). Padreja arriti të flasë me guxim në gjyq kundër sulmeve që i bajshin. Padreja mbronte me dinjitet të vërtetat shejte e po i jepte një goditje botnisht atij regjimi që e kishte çue popullin e rininë në gjendje shumë të keqe, tue mos mujtë t i delte zot vetes, pse ishte lidhë keqas për kafshatën e gojës. Mbas mbledhjes forcat e sigurimit e hodhën egërsisht në makinë, tue e goditë plakun enërgjik 67-vjeçar me grushta, shtjelma e qytat e pushkëve. Fjalët e padër Meshkallës ngjallën zemrat e njerëzve në krejt qytetin, fshtatin, malësinë e kudo në Shqipni, që kishte një reaksion të madh. Mbas tre muajsh, në mojin e korrikut, si fshehtas në zhegun e ditës i banë gjyqin në gjykatë dhe e dënuen për agjitacion e propagandë me 10 vjet burgim, për të dytën herë, se në të parin burgim kje dënue me 15 vjet që i kaloi në burgun e Burrelit.
Dënim me vdekje meshtarëve, burg familjarëve
Në vjetin 1968 arrestohet Dom Marin Shkurti, që me 17 personat e familjes së tij kishin dalë në Jugosllavi. Qeveria Jugollave ia dorëzoi qeverisë shqiptare. Dom Marini kje dënue me vdekje, me pushkatim, kurse katër vëllaznit e tij e dy kunatat me burgim.
Meshtari Dom Shtjefën Kurti, i cili në një moshë të shtyeme, punonte në bujqësi në zonën e Shën Kollit të Bregut të Matës, kje arrestue e pushkatue në vjetin 1971, i akuzuem për shumë krime, se kishte ba sabotim të randë ndaj kooperativës, se ishte
agjent i të huajve, se kishte helmatisë puset. Të gjitha shpifje. Ishte e vërtetë se kishte ba një pagëzim. Festivali XI i kangës në Radio-Televizion, me shfaqje liberalizmi, ishte një ngjarje që acaroi idhët fort luftën e klasave. U dënuen shumë nga të vetët.
Media e huaj dhe kardinalët
Radiot e huaja e shtypi i huaj e shumë stacione të Europës e të Zanit të Amerikës nisën të flasin për tmerret e ndodhuna në ekonomi, në besim e në të gjitha shfaqjet, tue paraqitë edhe pushkatimin e Dom Shtjefen Kurtit, tipik të ngjajtun për një pagëzim.
Me rastin e Krishtlindjeve të vjetit 1972, shumë kardinaj që gjindeshin në Romë, shkuen për t i ba urimet Papës Palit VI në Konçistor. Papa u tha kardinajve ndër të tjera: "Na kemi ba të pamundunën për t u marrë vesh me shqiptarët për lirinë e besimit. Por ata qëndrojnë në të veten. U sillemi kardinajve të vendeve të tjera, të merren me këtë çashtje tue gjetë të gjitha mënyrat e mundshme për zgjidhjen e këtij problemi fort të randësishëm." E Papa Gjon Pali II, kur shkoi në Puglia, e trajtoi këtë problem të gjendjes në Shqipni e i drejtoi përshëndetje të përzemërta popullit e besimtarëve.
Kongresi i gruas, në kishë
Me datën 11 qershuer do të zhvillohej Kongresi i Gruas në Shkodër, punimet e të cilit do të baheshin në Kishën Katedrale, kthye në pallat sporti. Në këtë kishë historike ku për ma se 100 vjet, kishte qenë qendra e jetës fetare katolike, ku janë kremtue të gjitha festat e vjetit e të vjetëve, janë ba sherbesa fetare, celebrue meshë, dhanë sakramendet, asht dëgjue fjala e Zotit nga gojtaria e meshtarëve, e ipeshkvijve e që populli e ka pasë të veten, tue u rritë e tue marrë edukatën fetare e civile, tashti rrënue gjithçka, në këtë kishë të dhunueme, dëgjohet një za tjetër: ai i dhunës në zemër të katoliçizmit, dëgjohet fjala
krenare edhe e terbueme e udhëheqësve komunistë të Enver Hoxhes, të Mehmet Shehut e të sa diskutantëve kundër besimit katolik, e shoqnueme me rrahjet e shuplakave të grave që me aq gëzim mbajshin gjallë kongresin e mallkuem të tyne.
Enver Hoxha, në Shkodër
E kur do të binte termeti i madh, me 15 prill 1979, Enver Hoxha me rastin e ndërtimit të shtëpiave të reja në lagjën e Bahçallekut në Shkodër, dhuratë e partisë dhe e shtetit, erdhi e mbajti fjalim, tue i sha zanit me tanë të keqen kundër Zojës së Papërlyeme, tue dhunue kështu në shpirt ndjenjat ma delikate të katolikëve që aq fort e kishin marrë mbrapa Shejtnoren e Zojës afër Bahçallekut e bri këshjellës e që populli vazhdonte ta mërrte përsëri, por tash fort fshehtas e me lot nder sy.
Diktatura komuniste në esencë, ka dhunue direkt të drejtat njerëzore e dinjitetin e njeriut në të gjitha shfaqjet e veprimtarisë së saj. U ba një luftë e veçantë dhe mizore kundër besimit, kundër të gjitha besimeve, por sidomos kundër religjionit katolik, klerit dhe elementit të tij me qëllim zhdukjeje. Lufta e ashpër drejtohej kundër klerit dhe elementit besimtar të tij, pikërisht se këta janë katolikë, pra një dhunë që ka jo burim djallzuer, por burim djalli dhe se kleri dhe elementi katolik mbante gjallë dhe kultivonte kulturën perëndimore e qytetnimin e vyer europian, atlantik, e qytetnimin kristian kudo në botë. Ishte fjala për zhdukjen e katoliçizmit ndër ne, të entitetit të tij dhe realitetit të tij historik e moral.

1968-1973, në muzeumin e Shkodrës
"Mbi rolin reaksionar të fesë", 5 vjet ekspozitë ateiste

Me 10 korrik të vjetit 1968 u inaugurue në qytetin e Shkodrës ekspozita ateiste: "Mbi rolin reaksionar të fesë". Kjo qëndroi e hapun më tepër se pesë vjet, pse kjo ekspozitë u shndërrue në "Muzeumin Ateist" të Shkodres që u inagurue me 9 qershuer të vjetit 1973 në prag të hapjes së Kongresit VII të grues. Një kulm do të arrijë në vjetin 1976 në Shqipni kur Shqipnia do të shpallet një vend ateist me Kushtetutë e se ndalohet me ligj çdo veprim feje. Neni 37 i Kushtetutës së vjetit 1976 ka këtë: "Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandë ateiste për te rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor. Neni 55: "Ndalohet krijimi i çfarëdo organizate me karakter... fetar. Ndalohet veprimtaria dhe propaganda ... fetare."

Ky lajm është publikuar: 19/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›