E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat plagosin punonjësen e këmbimit valutor

Autori i Lajmit: red.

Dy persona të maskuar, të armatosur dhe me motor, kanë sulmuar dje në mëngjes një 46-vjeçare, punonjëse në një pikë këmbimi valutor në Tiranë. Ka qenë ora 8 e mëngjesit, kur dy personat, ende të paidentifikuar, kanë tentuar t i marrin çantën me para gruas, e cila ka mundur t u shpëtojë nga duart. Në kohën që janë larguar, pa mundur të marrin para, dy agresorët kanë qëlluar me armë, duke plagosur 46-vjeçarën në këmbë. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë pohuar për policinë se personat e maskuar janë larguar me motor. Burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur se 46-vjeçarja është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Me t u sinjalizuar, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur të kryejnë veprimet e para hetimore. Forcat blu të kryeqytetit konfirmuan se viktima është Rudina Shametaj, 46 vjeçe, e cila është plagosur në këmbë. 46-vjeçarja është dërguar në Spitalin Ushtarak për të marrë mjekimin e duhur, ndërsa është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur punën për zbardhjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Ende nuk bëhen të ditura shkaqet e plagosjes dhe as ndonjë e dhënë rreth identitetit të autorëve të saj. Policia po mbledh dëshmi në vendin ku ndodhi ngjarja, duke pyetur ata që kanë qenë kalimtarë në kohën e plagosjes, ndërkohë që pritet të merret në pyetje vetë e dëmtuara.
Ky lajm është publikuar: 19/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›