Flakët shkrumbojnë plotësisht dy banesa
Flakët e zjarrit kanë djegur plotësisht dy banesa në Vlorë dhe në Dropull të Gjirokastrës. Ngjarja e parë ka ndodhur gjatë orëve të paradites, në fshatin Llovinë të Dropullit të Sipërm në Gjirokastër. Dëshmitarët okularë bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur brenda harkut kohor të 10 minutave, ndërkohë që mësohet se shkak është bërë një bombol gazi, që është harruar e ndezur nga familjarët. Fatmirësisht nuk janë shënuar lëndime në njerëz, por vetëm dëme materiale. Ndërkaq, në Vlorë, pak orë më pas, një banesë është përfshirë tërësisht nga flakët. Tymi i zjarrit është pikasur në katin e tretë të një pallati të ri, i cili ndodhet pranë Shkollës së Muzikës në qytetin e Vlorës. Kanë qenë banorët e zonës që kanë njoftuar repartin zjarrfikës dhe vetëm këta të fundit kanë bërë të mundur normalizimin e situatës. Por me gjithë ndërhyrjen e zjarrfikëses, janë djegur të gjitha orenditë e shtëpisë. Nga hetimet e para mësohet se shkak i zjarrit ka qenë shkarkesa elektrike në një nga pajisjet elektroshtëpiake të banesës.
Mi.Ma./En.Se.
Mi.Ma./En.Se.