E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesi e Murinjo, Maradona zgjedh dy të preferuarit

ARGJENTINE- Mes elozheve dhe përgëzimeve të ardhura nga gjithë bota për 4 golat ndaj Arsenalit, tashmë për Lionel Mesin vjen edhe “investimi” më i rëndësishëm, sidomos në aspektin moral. Këtë herë është Diego Armando Maradona që “ngre në qiell” talentin nga Rozario, që po mahnit gjithë botën me klasin dhe futbollin e tij. “Sot ai është futbollisti më i mirë në botë, - ka deklaruar trajneri i Argjentinës për Radio Metro. – Duket sikur luan futboll bashkë me Jezusin”. Për ish-Pibe de Oron kjo është deklarata e parë që pas kafshimit të qenit një javë më parë, që i kushtoi 10 qepje në fytyrë. “Nëse fitojmë Botërorin, do të zgjidhet edhe dilema historike se kush është më i mirë mes Maradonës dhe Pelesë. Në këtë rast, asnjë brazilian, anglez, gjerman, spanjoll apo italian nuk mund të mohojë se më i miri i të gjitha kohërave është argjentinas, - shton më tej Maradona. – Me Mesin fola gjatë kur isha në Barcelonë, duke sqaruar shumë gjëra. I tregova për eksperiencën time dhe e paralajmërova se çdo javë do t’i duhet të përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha dhe duhet të jetë i zoti t’u rezistojë. Dhe nga ajo që po bën, shoh që është në rrugën e duhur”, rrëfeu Maradona, i cili e ka ftuar talentin argjentinas të jetë i kujdesshëm. “I thashë që duhet të jetë i përgatitur për të përballuar momente të një vetmie të madhe, por duhet të jetë i fortë, të luftojë dhe të evitojë gabimet që kam bërë unë”. Pra, asnjë zili karshi talentit të Barcelonës, siç është shkruar jo pak. “Po talleni? Unë e kam bërë tashmë pjesën timë, tani është momenti i tij dhe do të isha i pari që do të gëzoja nëse fitojmë Botërorin dhe Leo konfirmohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.
Por, është edhe një tjetër personazh që Diego Armando Maradona e vlerëson me notat maksimale: Zhoze Murinjo! Dualizmi shkon mes trajnerit të Interit dhe atij të Barcelonës Pep Guardiola, fitues i 6 trofeve sezonin e shkuar me këtë skuadër. “Pep Guardiola ka fituar gjithçka dhe për këtë ai duhet nderuar, - deklaroi tekniku i përfaqësueses argjentinase. – Por, më i miri sipas mendimit tim është Murinjo, që është më i kompletuar. është ai “the boss”, kështu që zgjedh atë”, u shpreh më tej Maradona.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›