Policia e Shtetit aksion për armëmbajtjet pa leje, sekuestrohen 60 armë të ndryshme Forca të Policisë së Shtetit gjatë një aksioni (foto ilustruese)

Policia e Shtetit operacion për kapjen e armëve pa leje, duke mundësuar sekuestrimin e 60 armëve të llojeve të ndryshme. Kjo u bë e mundur nga një Plan- Operacion për kapjen e personave që mbajnë armë pa leje, i cili nga data 16 mars është dërguar për zbatim në të gjitha strukturat vendore të Policisë. Detyrat e përcaktuara në këtë plan kanë si qëllim kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë atyre personave që mbajnë armë pa leje, duke synuar në parandalimin e ngjarjeve të mundshme, si dhe krijimin e një mjedisi sa më sigurt për qytetarët. Në zbatim të këtij plan operacioni të gjitha Drejtoritë e Policisë në Qarqe kanë marrë masa për grumbullimin e gjithë informacionit të nevojshëm mbi personat që posedojnë armë pa leje, si dhe organizimin e kontrolleve në akset kryesore rrugore, në banesa apo lokale, ku sipas informacioneve rezulton se ndodhen këto persona. Gjatë operacioneve të zhvilluara në shkallë vendi janë angazhuar punonjës policie nga strukturat e hetimit të krimit, të rendit publik dhe nga forcat lëvizëse operacionale. Në kuadër të këtyre operacioneve, për një periudhë 3 javore, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë proceduar penalisht 59 persona të akuzuar për armëmbajtje pa leje, nga të cilët 52 janë arrestuar në flagrancë, 5 ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.