E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaleidoskopi spanjoll në Gjirokastër

Gjirokastër - “Kaleidoskopi spanjoll” paraqet vonë dhe për herë të parë në jug të vendit, kulturën spanjolle. Është një seri filmash që edhe gjeografikisht japin një Spanjë të larmishme. “Pikërisht për këtë arsye ky aktivitet është quajtur “Kaleidoskopi spanjoll”, pasi shpërndarja gjeografike e filmave përfshin të gjithë vendin tonë”, është shprehur ambasadori spanjoll, Manuel Montobbio. Sipas tij, përveç afërsisë si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, Gjirokastra ka një qasje historike me Spanjën përsa i përket faktit se në këtë qytet kanë jetuar familje çifutësh të dëbuar nga Gadishulli Iberik rreth viteve 1400. Kjo lidhje historike ka nxitur diplomatin spanjoll të propozojë çeljen edhe në Gjirokastër të ekspozitës së fundit në Muzeun Historik Kombëtar “Dëshmitarë të shekullit çifut”. “Jam i informuar se Gjirokastra ka mirëpritur dhe këtu kanë jetuar familje çifutësh të dëbuar nga mbreti Alfons, pikërisht ai që priti arbëreshët në Itali pas vdekjes së Skënderbeut. Di gjithashtu se këto familje tashmë janë shpërngulur në Izrael, por interesi ynë është që të gjejmë copëza të kësaj historie në qytetin tuaj”, ka theksuar më tej ambasadori spanjoll. Përgjatë një jave, filmat spanjollë do të japin një shenjë jete kulturore e cila mungon fare gjatë gjithë vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›