E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është opinioni ynë publik i uzurpuar?

Opinioni publik mbetet arma e vetme e qytetarit (në demokraci) në periudhën midis dy momentesh elektorale. Opinioni publik formësohet, në përgjithësi nga një bashkëpunim media + shoqëria civile. Kuptohet, përveç pjesës së politikes, e cila në vendet me demokraci të pazhvilluar zë pjesën e luanit. Në atë pak sa mbetet bosh, është shoqëria civile ajo që, sikurse thoshte Hegeli, më pas Habermans-i, dhe tash se fundi Domenique Russeau, merr dhe filtron mesazhet që vijnë nga hapësira civile (qytetari) dhe i shndërron në opinion publik.

Në këtë moment të fundit, rolin maksimal dhe të pazëvendësueshëm e luan media. Kur agjenda e shoqërisë dhe ajo e mediave përputhen, marshimi është i pandashëm. Në Shqipëri, opinioni politik është në përgjithësi i uzurpuar nga politika, pushtet + opozitë.

Ajo pjesë që mbetet dhe që do të duhej të përdorej peër qëllimin që thamë, media e përmbush jo me mesazhe të shoqërisë civile (kjo edhe për faj të kësaj të fundit-pak aktive) por me mesazhe, kryesisht eseistësh. Këta të fundit, shpesh në mungesë informacioni, (janë të paktë ata që mund të azhornohen) dhe jo rrallë të bindur e të sigurt për atë çka dinë, (e cila në mungesë të konsultimit me të rejat më të fundit apo me të vjetrat më të para), besojnë se mund të flasin për çdo gjë, pra, edhe për gjëra teknike.

Po qe se janë edhe "miq" të mass-mediave, "mendimi" i tyre jo rrallë shndërrohet në opinion publik i vështirë për t’u kundërshtuar. Po t’i vësh përballë dhe nivelin e shoqërisë, mendimi i miqve tanë shndërrohet në një "bombë" të vërtetë e të rrezikshme për shoqërinë, duke e orientuar atë në shtigje, që në rastin me të mirë janë eksploruar, në biseda miqsh. Për fat të keq, Shqipëria është një rast tipik. Ka edhe më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›