Plagoset me çifte piktori Sali Shijaku
Plagoset aksidentalisht Piktori i Popullit, Sali Shijaku. Ngjarja aksidentale ka ndodhur në fshatin Fikas të Tiranës, ku piktori 75-vjeçar ka qenë duke punuar dhe një saçme çifteje e ka plagosur në këmbë. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja është regjistruar dy ditë më parë pranë një poligoni qitjeje në Komunën e Bërzhitës. Piktori i Popullit kishte shkuar për të punuar në këtë zonë, ndërkohë që persona të tjerë bënin qitje me çifte. Aksidentalisht, një saçme çifteje e ka goditur piktorin e njohur në këmbë, duke e plagosur. Menjëherë, të pranishmit e kanë dërguar të plagosurin në spital dhe pas dhënies së ndihmës së parë, mjekët thanë se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ana tjetër, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur punën për sqarimin e rrethanave të plagosjes. Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve okularë, policia ka vendosur sekuestrimin e armëve në poligonin e qitjes, ndërkohë që ngjarja është regjistruar si plagosje aksidentale.