Mbetet në burg njeriu që postonte pistoleta
Agim Shëngjoni, njeriu që transportonte me postë tri pistoleta do të qëndrojë në burg deri në fund të hetimeve ndaj tij. Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dje masën e sigurisë "burg pa afat" për elbasanasin. Pistoletat e nisura nga Holanda drejt qytetit të Elbasanit nga shtetasi Agim Shëngjoni janë konstatuar dhe është bërë i mundur parandalimi i këtij trafiku nga Posta Shqiptare në bashkëpunim me organet e Policisë së Shtetit. Që në momentin e mbërritjes së kolisë postare në filialin e transitit në Kinostudio ku dhe bëhet kontrolli i imtësishëm i të gjitha kolive postare nga skaneri në dhomën doganore i vendosur atje ka arritur të identifikojë tri pistoletat e dërguara. Sinjali i dhënë nga skaneri është vlerësuar nga punonjësit e Postës Shqiptare dhe ato të doganës së këtij institucioni, të cilët pasi janë siguruar mbi pakon e dyshimtë kanë lajmëruar organet kompetente, të cilat menjëherë kanë arritur në vendngjarje duke bërë organizimin e skemës për zbardhjen e çështjes.