Dhjetor 2009, “kërcen” inflacioni, +3.5 për qind
Autori i Lajmit: Redaksia
INSTAT-i ka publikuar dje indeksin e çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2009, që arriti në 105.8 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 1.6 përqindësh krahasuar me muajin e mëparshëm.
Inflacioni
Inflacioni në bazë vjetore në muajin dhjetor është 3.5 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 për qind. Perimet, përfshirë patatet janë shitur 42 për qind më shtrenjtë se në dhjetor të një viti më parë, ndërkohë që, në përgjithësi, ushqimet kanë qenë 7% më të shtrenjta dhe frutat 14 për qind më të shtrenjta. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkolike” shënoi një rritje mujore të çmimit prej 3.7 përqindësh, me një ndikim prej 1.5 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 22.2 për qind vërehet në nëngrupin ”zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen me mbi 50 për qind të çmimit të kastravecëve, rritjen e çmimit të patëllxhanëve me 40.1 për qind, domateve me 37.5 për qind, specave me 33.2 për qind, lulelakrës me 13.6 për qind, etj.
Çmimet
Çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një rritje prej 2.9 përqindësh, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të dardhave me 7.5 për qind, mollëve me 3.2 për qind, bananeve me 0.9 për qind, frutave të thara me 0.8 për qind, etj, ndërsa çmimet e limonëve dhe portokalleve shënuan një ulje respektivisht 17.4 dhe 12.1 për qind. Gjatë muajit dhjetor, thekson raporti i Insitutit zyrtar të Statistikave, çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet ”pije joalkolike” me 1.8 për qind, ”sheqer, reçelna, mjaltë etj” 1.5 për qind, ”peshk” 1.4 për qind, ”mish” 0.8 për qind, ”vajra dhe yndyrna” 0.8 për qind, etj. Indeksi i grupit “Qira ujë lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje prej 0.4 përqindësh, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm me 1.8 për qind dhe druve të zjarrit me 0.6 për qind. Indeksi i grupit ”Transport” shënoi një rritje prej 0.4 përqindësh. Gjatë muajit dhjetor çmimit e karburanteve shënuan një rritje dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi rritje 1.1 për qind dhe çmimi i benzinës 0.3 për qind. Në grupet e tjera ndryshimet mujore variojnë nga -0.1 për qind në +0.1 për qind.
Ky lajm është publikuar: 09/01/2010