Integrimi Bregu: “Pyetësori i KE, gati 81 për qind e përgjigjeve”
Autori i Lajmit: Redaksia
Shqipëria u përgjigjet 81 për qind të pyetjeve të Pyetësorit të Komisionit Evropian lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky fakt bëhet i njohur nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila pohoi se puna e bërë deri tani ka qenë në qendër të diskutimeve të zhvilluara në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit. Sipas saj, deri më 7 janar 2010, ka përfunduar puna për hartimin e draftit të parë të përgjigjeve për kapitujt që kanë të bëjnë me prokurimet publike, tatimet, doganat, financat dhe buxhetin apo dhe politikat e sigurisë ushqimore. Lidhur me pyetjet e kriterit politik, Bregu tha se ka pyetje që nga Parlamenti, mënyra e organizimit, komisionet parlamentare, por edhe pyetje që deri diku janë një lloj risie dhe prezantohen në pyetësor, nisur nga situata aktuale, mospjesëmarrja e opozitës në Parlament prej disa muajsh, ku specifikisht kërkohet se çfarë parashikon ligji shqiptar për partitë politike që nuk marrin pjesë në Parlament ose, nëse parashikohet në ligj shkrirja e një partie, si rregullohet me ligj etj. “Por të gjitha pyetjet e përfshira brenda kritereve politike janë diskutuar me kujdes në të gjitha grupet e punës, ju kujtoj që Parlamenti ka një grup të vetin nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë që është lideri i kapitullit për pyetjet e përfshira brenda seksionit të Parlamentit, sikurse ka edhe pyetje për qeverinë”, - tha ajo.
Përgjigjet
“Janë mbyllur në total 81% e draftit të parë të përgjigjeve. Pra, nga 2284 pyetjet që përmban në total pyetësori, u është dhënë deri tani përgjigje 1853 pyetjeve dhe, sigurisht, për sa i përket kalendarit që ishte vendosur nga Ministria e Integrimit, mund të themi që janë shifra optimiste. Mund tju kujtoj që afati më i skajshëm i draftit të parë të përgjigjeve është data 17 janar, disa institucione e kanë mbyllur më 3 janar, çka do të thotë që kanë punuar vrullshëm edhe gjatë ditëve të festave”, - tha Bregu. Sipas saj, deri më 7 janar 2010, ka përfunduar puna për hartimin e draftit të parë të përgjigjeve për kapitujt 5, 8, 11, 12, 14, 16, 25, 29, 32 dhe 33 që kanë të bëjnë përkatësisht me
prokurimin publik, politikat e konkurrencës, mbi bujqësinë dhe zhvillimin, mbi politikat e sigurisë ushqimore, mbi politika e transportit, mbi tatimet, për shkencën dhe kërkimin, mbi doganat, mbi kontrollin financiar dhe mbi financat e buxhetin. Ndërkohë që janë duke përfunduar përgjigjet e fundit për kapitullin e kriterit politik të koordinuar nga Ministria e Drejtësisë, 98%. Në masën 97 për qind janë përfunduar përgjigjet mbi lëvizjen e lirë të punëtorëve, mbi legjislacionin për shoqëritë tregtare dhe mbi shoqërinë e informacionit dhe medias. Kapitulli 31 mbi politikat e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes, koordinuar nga Ministria e Punëve të Jashtme është plotësuar në masën 94%
po aq sa dhe kapitulli 23 mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, i koordinuar nga Ministria e Drejtësisë ndërkohë që kapitulli 7 mbi pronësinë intelektuale është në masën 93%. Bregu pohoi se në masën mbi 80% janë dhe përgjigjet që kanë të bëjnë me rrjetet ndërevropiane, shërbimin financiar, politikat sociale dhe zhvillimin, energjinë dhe peshkimin. Ajo pohoi se janë edhe disa kapituj të tjerë, të cilët për shkak se kanë pasur një volum më të madh pyetjesh, përqindja e dhënies së përgjigjeve është diçka më e ulët, por kjo nuk do të thotë se nuk ka qenë i njëjti ritëm pune si në institucionet e tjera. “Deri më tani kemi evidentuar 4 pyetje të paqarta, të cilat ia kemi dërguar Komisionit Evropian, nënkuptoj këtu formulimin deri diku evaziv të pyetjes, për të qenë sa më të saktë në përgjigje. Është një procedurë e ndjekur edhe nga vende të tjera”,- tha Bregu. Ajo shtoi se janë ofruar nëpërmjet projektit SMEI II gjithsej 29 ekspertë për 27 kapitujt, por duhet të sqaroj se ekspertët nuk do të jenë bazë për të formuluar përgjigjet, por thjesht për të qartësuar paqartësi që mund të kemi në pyetje, për terminologji apo ndonjë vizion i cili shkon përtej një dhjetëvjeçari, për të pasur edhe një këndvështrim nga ekspertë të vendeve të BE-së.
Ministrja: “Në pyetësor, pyetje dhe për emergjencat civile”
Pyetësori i Komisionit Evropian ka dhe pyetje që kanë të bëjnë me pjesën e mjedisit dhe të emergjencave civile. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se është kapitulli 27, ku pyetjet fillojnë që nga forma administrative, pra si është organizuar administrativisht pjesa e emergjencave civile, pranë cilit institucion është atashuar, deri në pyetje që kanë të bëjnë me përballimin e situatave të tilla. “Unë besoj se kjo situatë në të cilën ndodhet vendi – është një situatë e shpallur e emergjencës civile – po përballohet dhe është e menaxhueshme. Sigurisht, në të gjitha detyrimet që kemi sot si vend anëtar i NATO-s, edhe në të gjitha detyrimet që kemi për të raportuar në bazë të marrëveshjeve bilaterale dhe kufitare me vendet fqinje, jemi të detyruar të raportojmë për situatën, për numrin e hektarëve të përmbytur, humbjeve që mund të ketë, shtëpitë e dëmtuara, informacion që përcillet në mënyrë të qendërzuar nga Komiteti i Emergjencave i ngritur tani”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 09/01/2010