E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset rëndë vëllai i viktimës. Policia e Durrësit arreston katër anëtarë të një familjeje

Një konflikt banal mes dy familjesh në fshatin Rinia të Durrësit është mbyllur me vrasjen e një të riu, plagosjen e vëllait të tij dhe ndalimin e katër personave, mes të cilëve dhe autori i ngjarjes. Prend Lazri, 22 vjeç nga Puka, banues prej disa vitesh në fshatin Rinia të Durrësit, ka mbetur i vrarë pasditen e djeshme, ndërsa vëllai i tij 35-vjeçar, Xh. Lazri, është plagosur nga një armë e tipit pistoletë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se krimi ndodhi në qendër të fshatit pas një sherri në rrugë mes dy vëllezërve Lazri dhe vëllezërve Bushi. Familja e viktimës ka ardhur në këtë fshat nga rrethi i Pukës, ndërsa familja Bushi nga Dibra. Në fshat tregojnë se mes dy familjeve kishte lindur prej disa kohësh një konflikt që nuk kishte marrë zgjidhje, me gjithë tentativat e bëra herë pas here. Mësohet se konflikti ka lindur pasi viktima Prend Lazri, 22 vjeç, në mënyrë të vazhdueshme kulloste lopët në pronën e familjes Bushi. Ardhja e emigrantëve për festat e fundvitit ka sjellë pranë familjes, edhe vëllezërit e viktimës dhe djemtë e të dyshuarit si autor të vrasjes. Mes tyre ka nisur sherri për t’i dhënë fund shfrytëzimit të kullotës së familjes Bushi. Tonet e ashpra mes të rinjve, u kanë lënë vend goditjeve me grushte dhe shkelma mes tyre, deri në momentin kur në vendin ku po zhvillohej sherri ka ndërhyrë me një armë zjarri të tipit pistoletë Hysni Bushi duke lënë të vdekur në vend 22-vjeçarin dhe plagosur vëllain e tij 35-vjeçar. I plagosuri është dërguar menjëherë për në repartin e kirurgjisë së spitalit të Durrësit ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Burimet spitalore janë treguar të rezervuara paraprakisht për të folur për gjendjen aktuale të 35-vjeçarit, ndonëse thonë se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën. Zyrtarisht, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, përmes zëdhënëses së vet, ka deklaruar se ngjarja ka pasur në zanafillë motive të dobëta dhe se në të janë përfshirë katër persona, H. Bushi dhe 3 djemtë e tij. Të katërt, sipas burimit zyrtar, janë të shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrësit dhe do të jenë hetimet e mëtejshme që do të zbardhin rolin e secilit prej tyre në krim, duke përcaktuar edhe personin që ka qëlluar mbi vëllezërit Lazri. Ndërkohë, në fshat dëshmitarët okularë tregojnë se ka qenë Hysni Bushi ai që ka qëlluar mbi dy djemtë e familjes Lazri. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të policisë dhe grupi hetimor, të cilët brenda një kohe të shkurtër kanë mundur të hedhin dritë mbi personat e përfshirë në konflikt dhe bëjnë ndalimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›