Socialistët i përgjigjen ofertës së Metës: Jo faleminderit
Partia Socialiste ka refuzuar dje paktin e propozuar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Një ditë më parë, nëpërmjet një konference për shtyp, kreu i LSI-së i ofroi Ramës rivendosjen e aleancës mes tyre, me kushte që ky i fundit t‘i japë firmat për kalimin e ndryshimeve kushtetuese me referendum. Ky propozim është kundërshtuar dje nga selia rozë nëpërmjet zëdhënëses së kryesisë, Mimi Kodheli. Gjatë një konference për shtyp, Kodheli ka deklaruar se Ilir Meta nuk po e gjen dot fillin e arsyes. "Mllefi i ka errësuar shikimin dhe egërsuar gjuhën, duke e kthyer vite prapa, te llogorja e politikës së vjetër", është shprehur Kodheli. Familjet shqiptare, u shpreh Kodheli, nga politika duan shpresë e jo kërcëllitje dhëmbësh, duan bashkim zemrash e mendjesh e jo sherr e ulërima për karrige, duan zgjidhje konkrete për varfërinë e papunësinë, jo gënjeshtra me bisht për Kushtetutën. Me tone të qeta, zëdhënësja e Kryesisë së PS-së është shprehur se "Ilir Meta nuk është kundërshtari ynë, por aleati që ka humbur rrugën dhe qetësinë. Ne mbetemi të keqardhur për shfaqet joserioze të tij këto kohët e fundit, përpara shqiptarëve". Ajo ka mohuar deklaratat e bëra nga kreu i LSI-së për bashkëpunim mes kryetarit të PS-së Rama dhe Kryeministrit Berisha. "Përrallën e bashkimit të Ramës me Berishën nuk e beson as vetë Ilir Meta, që nuk ka gjetur dot asgjë me të hajrit për t‘u treguar shqiptarëve të neveritur nga 17 vjet politikë shpifjesh, akuzash, sherresh e sherrxhinjsh", është shprehur Kodheli. Përfaqësuesja e PS-së ka deklaruar se selia rozë është e vendosur për të vijuar turin e saj të dialogut nëpër Shqipëri, nga i cili nuk përjashtohet asnjë forcë opozitare. "Duke dashur me gjithë zemër normalizimin e sjelljes publike të mikut tonë Ilir dhe duke rikonfirmuar vullnetin për të vazhduar Dialogun me Shqipërinë reale e për ndërtimin e një bashkimi të ri me çdo shqiptar që do një politikë të re, për një jetë më të mirë, pa përjashtuar në asnjë mënyrë as Ilir Metën e as aleatët e tjerë nga ky bashkim, ne përsërisim se rruga e fitores sonë është rruga e ndryshimit të mundësisë politike, në respekt të miliona shqiptarëve që kërkojnë nga politika t‘i udhëheqë drejt së ardhmes, jo t‘i mbajë peng të së shkuarës", tha Kodheli.
Gjithashtu, Kodheli, në emër të PS-së, ka ftuar Ilir Metën t‘i flakë tutje armët e politikës së vjetër, duke ndalur diversionet, shantazhet dhe ultimatumet për Partinë Socialiste, duke ulur tonet çjerrëse e duke u ngritur në nivelin e shqetësimeve reale të vendit e të njerëzve për të kontribuar pozitivisht, bashkë me të tjerët, në zgjerimin e frontit opozitar që do fitojë zgjedhjet e do hapë një faqe të re për Shqipërinë. Një ditë më parë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ftoi për bashkëpunim PS-në, duke theksuar se "le ta quajmë çështje të mbyllur sistemin që u miratua në Parlament, ta quajmë të mbyllur pavarësisht qëndrimeve tona parimore dhe të marrin guximin qytetar për të firmosur kërkesën për referendum". Sipas Metës, kjo duhet bërë në mënyrë që populli shqiptar, që rrëzoi kërkesat e PD-së në vitin 1994 dhe ai që votoi këtë Kushtetutë në vitin 1998, të ketë mundësi të shprehet në formë sovrane. Për Metën kjo do të ishte rruga e vetme që Edi Rama dhe deputetët e PS-së që votuan pro neneve të puçit dhe çimentimit të Berishës si Kryeministër të shkarkojnë një pjesë të përgjegjësisë së madhe politike, morale dhe ligjore që mbajnë. Meta i ftoi socialistët të kontribuojnë, kështu që Kushtetuta të mbetet e paprekur si për sa i takon rolit të Presidentit, ashtu edhe për shtyllat e funksionimit të shtetit ligjor.