Mesila Doda: Do zbardhim masakrën e Tivarit, është një e vërtetë historike

“çdo dokument nga arkivat e Kosovës, Malit të Zi dhe Kroacisë, për gjenocidin ndaj shqiptarëve”
Partia Demokratike është e zotuar t’i shkojë deri në fund nismës së saj për hetimin e masakrës së Tivarit. Ligjvënësja demokrate, Mesila Doda u shpreh dje se kjo ngjarje është vërtet e dhimbshme dhe porsa kohë është një e vërtetë historike duhet zbardhur. “Komisioni hetimor do kërkojë të gjitha materialet dhe dokumentet nga arshiva e Kosovës, Malit të Zi dhe Kroacisë për të zbardhur këtë masakër. Kjo ngjarje e rëndë është një e vërtetë historike e cila duhet zbardhur”- u shpreh Doda.
Ajo komentoi dhe veprimin e socialistëve, të cilët s’pranuan të votojnë dhe të marrin pjesë në punimet e komisionit hetimor, duke e quajtur këtë si qëndrim absurd.
“Partia Socialiste nuk pranoi të marrë pjesë në Komision as nuk votoi ngritjen e komisionit hetimor, por zgjodhi të dalë nga salla. Ky është një qëndrim shumë negativ”- deklaroi deputetja demokrate Mesila Doda.
Partia Demokratike miratoi me shumicë votash në Kuvend ngritjen e komisionit hetimor për masakrën e Tivarit. Nisma e grupit parlamentar të demokratë, pritet të nisë menjëherë nga puna, për t’i ofruar historisë të vërtetën e një prej ngjarjeve më të përgjakshme, e cila u mori jetën 4 mijë të rinjve shqiptarë, aq sa krahasohet me ngjarjen e “Katinin” e Stalinit në Poloni. I dyshimtë dhe i papranueshëm është vendimi i Partisë Socialiste, e cila vazhdon të mbrojë pas kuintave një prej përgjegjësve të masakrës, ish udhëheqësin e fundit komunist, Ramiz Alinë. Sidoqoftë fjalën e fundit do ta thotë komisioni hetimor, i cili pritet të shqyrtojë me imtësi çdo dokument dhe material që ka të bëjë me gjenocidin dhe njëherazi të denoncojë shkaktarët e ngjarjes tragjike.