“Bashkia e Tiranës të aplikojë për pronat e lira të FA-ve, që ato t’i shërbejnë komunitetit”
Ministria e Mbrojtjes, thirrje kryebashkiakut të kryeqytetit
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, tha dje se njësitë vendore në të gjithë vendin po bashkëpunojnë për privatizimin e pronave të Forcave të Armatosura. Kulluri tha se shumë prej njësive vendore kanë aplikuar për të marrë në administrim prona të lira të FA-ve, ndërsa bën përjashtim bashkia e Tiranës, e cila s’ka bërë as lëvizjen më të vogël, për t’i vënë ato në shërbim të komunitetit.
“Ministria e Mbrojtjes, në kuadër të procesit të nxjerrjes të lira të pronave të tepërta të Forcave të Armatosura, ka ndërtuar një bashkëpunim shumë të mirë me njësitë vendore si komuna dhe bashki të ndryshme. Shumë prej këtyre njësive kanë aplikuar për të marrë në administrim prona të lira të Forcave të Armatosura dhe për t’i përdorur ato për interesa të komunitetit siç e përcakton ligji”, tha Kulluri.
Sipas tij, bashkia e Kavajës është duke marrë në administrim një repart ushtarak për ta përdorur për të ndërtuar qendrën administrative të qytetit, për godinat e bashkisë prefekturës etj.
“Bashkia Shkodër është duke marrë në administrim një repart ushtarak dhe për të ndërtuar në atë truall një shkollë profesionale dhe objekte të tjera social-kulturore. Në Berat po ashtu, prona të lira të Forcave të Armatosura tashmë po përdoren për nevoja të komunitetit. Deri tani, mbi 43 prona janë marrë në administrim nga njësi të ndryshme vendore dhe tashmë janë funksionale për nevojat e qytetarëve. Në këtë kontekst, vëmë në dijeni bashkinë e Tiranës, se një listë prej 37 pronash brenda territorit administrativ të bashkisë Tiranë, tashmë janë nxjerrë të lira nga Ministria e Mbrojtjes. Bashkia e Tiranës është e mirëpritur të aplikojë për të marrë në përdorim ato prona që ajo mendon se do t’i shërbenin qytetarëve të kryeqytetit. Ne ftojmë këtë njësi vendore të bëhet pjesë e këtij procesi, i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së komunitetit më të madh të vendit”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri.