E Diel, 1 Nëntor 2026

Padia e PS-së, reagon Dritan Prifti: E kam parë Edi Ramën të marrë drogë në tavolinën e punës

“Të bëhet i hapur gjyqi në Pallatin e Kongreseve”


Deputeti i LSI-së dhe njëherazi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka sfiduar sërish sot, kreun e socialistëve Edi Rama, lidhur me akuzat e hedhura një ditë më parë në seancën e Kuvendit. Gjatë një komunikimi me gazetarët, Prifti ka deklaruar se mbetet i gatshëm të mirëpresë padinë e kreut të opozitës, por tha ai, gjyqi duhet të jetë i hapur në Pallatin e Kongreseve, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kuptojnë se kush është në të vërtetë kryetari i opozitës.
“Mesa kuptoj, më paska rënë mua misioni historik që t’i tregoj shqiptarëve se kush është kryetari i opozitës së tyre, kush është zoti Edi Rama. Unë e mirëpres këtë lajmin e padisë. Vetëm do t’i bëjë një kërkesë zotit Rama që ta bëjmë gjyqin të hapur, në ndonjë sallë si ajo e Pallatit të Kongreseve, me media prezente, ku t’i tregojmë të gjithë shqiptarëve se kush është ai. E përsëris, Edi Rama është një njeri i pa sinqertë, është një njeri që fsheh të vërteta të mëdha dhe të dhimbshme për veten e vet. E përsëris, nuk ka shqiptar që beson se Edi Rama është i pastrehë, që Edi Rama nuk ka shtëpi. Përkundrazi, ka me qindra prona të shpërndara në emra miqsh e shokësh në të gjithë vendin, nga Durrësi, në Korçë, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka shqiptar që beson se Edi Rama ka tre mijë euro në bankë, sepse vetëm një kostum i tij ekstra size bën më shumë se sa tre mijë euro. Nuk ka shqiptar që mund të besojë përrallat e Edi Ramës se është i varfër. Unë kam folur dje edhe për disa vese të tij në lidhje me përdorim substancash narkotike dhe po ju them se me sytë e mi në vitin 2002 dhe në vitin 2005 e kam parë me pluhur të bardhë në tavolinën e tij të punës në bashki, gjë të cilën që në vitin 2002 dhe në vitin 2005 ia kam thënë liderëve të PS të asaj kohë dhe kam njerëz që e kam dëshmuar që në atë kohë. Nuk kam nevojë për dëshmitar sepse me sytë e mi e kam parë këtë gjë në zyrën e bashkisë të Edi Ramës”- u shpreh ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.
Lidhur me orientimet seksuale të Ramës, Prifti tha se ish deputetë të selisë rozë kanë treguar se e kanë parë kryetarin e opozitës të veshur me rroba grash në shtëpinë e tij në Pezë.
“Përsa i përket orientimit të tij seksual dje kemi qeshur në Parlament sepse pasi unë fola, disa deputetë filluan të hapeshin. Dy deputetë, njëri i larguar nga Partia Socialiste, aktual në sallën e Kuvendit, dhe një tjetër pjesë e mazhorancës, kanë treguar që kur i ka thirrur Edi Rama në shtëpinë e tij në Pezë, Edi Rama i ka pritur i veshur me të brendshme grash, me tanga. Kjo është qesharake dhe nuk është faji im që të mendoj që ai njeri është pervers seksual dhe ka orientime seksuale qesharake. Shqiptarët duhet ta dinë se çfarë janë njerëzit që i drejtojnë. është turp i madh të fshehësh gjëra kaq të rëndësishme si kjo dhe e them edhe një herë e mirëpres gjyqin dhe ta bëjmë në sallën e Pallatit të Kongreseve”- deklaroi më tej, ministri Prifti.
Deputeti i LSI-së dhe ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, akuzoi kryetarin e socialistëve të enjten në Kuvend, se fsheh pasurinë dhe se ato 3 mijë euro që i ka deklaruar i shpenzon çdo ditë për konsumim substancash të ndaluara.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›