Mesila Doda: Ne s’mund të lejojmë që të na drejtojë një kryebashkiak që abuzon me paratë tona

Deklarata e plotë për shtyp e deputetes së Partisë Demokratike, Mesila Doda
Bashkia e Tiranës ka sot një administratë tejet të fryrë, që jo vetëm rrit në mënyrë galopante shpenzimet administrative dhe ul investimet, por nuk mbulon as shërbimet bazë që u nevojiten qytetarëve. Numri i punonjësve në bashkinë e Tiranës sot është 3155, shifër kjo e barabarte me 3 ministri: Ministrinë e Ekonomisë, të Transportit dhe Ministrinë e Turizmit. Shpenzimet administrative të Bashkisë së Tiranës janë rreth 40% më të larta krahasuar me bashkitë e tjera të mëdha të vendit: kjo ka shkaktuar ulje të investimeve, pesha e të cilave ra nga 37% në vitin 2008 në 28% të buxhetit për vitin 2010 duke rënë edhe poshtë mesatares së të gjithë bashkive e komunave të vendit. Rritja e peshës se shpenzimeve për pagat është një tjetër zhvillim negativ. Shpenzimet për pagat janë rreth 35% e buxhetit te Bashkisë kundrejt vetëm 18% qe zënë ë këto shpenzime ne buxhetin e qeverise. 85 lloje taksash. Bashkia harxhon 8300 lekë për frymë për pagat dhe vetëm 2500 lekë për shërbimet ndaj qytetarit.
Ne përballemi me shërbime të munguara! 732 është numri i padive të depozituara në Gjykatën e Tiranës nga qytetarët ose firmat e ndryshme kundër Bashkisë së kryeqytetit për prishje të pronave, shtëpive dhe bizneseve, ndërkohë që përfaqësuesit ligjorë të bashkisë as nuk denjojnë të paraqiten në gjyqe duke i injoruar dhe përbuzur qytetarët.
Një tjetër fenomen që tregon qartazi shpërdorimin e parave të taksapaguesve për punime gjysmake në prag fushate është ai i tavaneve elektorale dhe asfaltit elektoral. Së fundi edhe i shtrimit të barit elektoral që kushton 40.000 dollarë. Ne nuk mund të lejojmë më të kemi një kryebashkiak që abuzon me paratë tona! Ne meritojmë një kryebashkiak që të investojë për të përmirësuar shërbimet për qytetarin; jo për një kryebashkiak që fokusohet vetëm tek beteja politike kombëtare. Na duhet një kryebashkiak për qytetin.