A i njohin nostalgjikët tanë kriteret e Darmstadtit?
Përveç Nyrembergut që vari në litar nazistët kryesorë, Qeveria e pasluftës në Gjermani i vuri për detyrë vetes të bënte denazifikimin. Nostalgjia për Hitlerin është e krahasueshme me nostalgjinë për Enverin, paçka se gjenden në të dyja anët e barrierës që i ndan (por edhe i bashkon) totalitarizmat më të tmerrshëm të sh. XX.
Komunizmi shqiptar i Enver Hoxhës bëri sikur i dënoi krimet e Stalinit. Në 1956-n Enver Hoxha bëri kinse e dënoi kultin e individit të Stalinit, apo të vetin.
Majtizmi ynë bën sikur nuk është nostalgjik. Kjo i jep dorë Nexhmijes të na mbysë me rrena e me mashtrime. Në të vërtetë E. H.-a duhej të dënohej me vendim gjyqësor, pas vdekjes, për tradhti kombëtare e për gjenocid, e domosdoshme kjo që të mos kishte vend asnjë veprimtari nostalgjike, siç nuk lejohet me ligj në Gjermani asnjë veprimtari naziste. Parulla buçitëse e hapave të parë të proceseve demokratike, Enver-Hitler, duket se ka qenë parashikuese dhe me një domethënie të madhe. Libri i Fisnik Gjonit na e risjell në kujtesë atë atmosferë antikomuniste në Kavajë, si edhe parullat që e shoqëronin, në librin e tij „Djemtë e lagjes „Kushtrimi“, libër që është vlerësuar siç e meriton në gazetën „55“.
Gjermania qé e vendosur të çrrënjoste nostalgjitë naziste, se e djathta dhe e majta qenë unike në këtë synim. Te ne nuk u bë dekomunistizimi, se djathta u ndodh përballë dinakërisë së të majtës, kinse me parime perëndimore (!), duke e shndërruar PPSh-në në PS! Por PPSH-ja e Enver Hoxhës, nuk bëri as destalinizimin, në ndryshim nga të gjitha vendet e Lindjes ish-komuniste. Dhe e bija e saj, PS-ja, nuk mund të rinovohej, siç ishte një shprehje e saj hipokrite, e cila tani po quhet e panevojshme që të përdoret në vazhdimësí. Ajo shfrytëzoi mundësitë që të forcohej ekonomikisht; dhe tani propaganda enveriste bëhet në dritë të diellit. Kjo është risia e saj! Ky është rinovimi. . .
* * *
Denazifikimi në Darmstadt
Në një qytet të vogël pranë Frankfurtit, që e ka emrin Darmstadt, sapo mbaroi Lufta, u bënë anketime me shkrim për të gjithë banorët: - ç’bindje politike ke? Nëse i ke të molepsura nga totalitarizmi, a i ke ndërruar? Cili ishte qëndrimi familjar ndaj ideologjisë naziste? (Të shënohej qëndrimi i secilit, një për një, nga kryefamiljari). Në rrethin familjar më të afërt (Xhaxha, hallë, teze, nip, mbesë) ç’marrëdhënie keni pasur dhe cili ka qenë qëndrimi i tyre? Në të gjithë këtë mori njerëzish, a ka pasur nga ata me veprimtari përndjekjeje ndaj kundërshtarëve politikë, ndaj hebrenjve, etj.? “Firma juaj do të konfirmojë sinqeritetin tuaj dhe çdo mospërputhje me të vërtetën do të ketë konsekuenca”.
Nga ana tjetër, ata që u dyshuan si të përzier nga akuzat e banorëve vetë, u morën dhe u futën në një qendër riedukimi. Aty duhej t’u nënshtroheshin leksioneve për një shoqëri demokratike antinaziste dhe duhej të shpreheshin për përvetësimin e tyre. Pastaj do të anketoheshin, si të tjerët.
Të gjithë u njohën me këtë veprimtari të Darmstadtit dhe porosia ishte „të bëjmë si Darmstadti“. Kështu u zhduk fara e nostalgjisë naziste. Naziskinët gjenden para shtrëngesave gjyqësore dhe e kanë mbyllur zgurdhën.
Prandaj Gjermani përparoi sa çuditi dynjanë, në krejt Perëndimin demokratik.
Prandaj edhe né mbetëm në bisht të situatës, ndonëse dhuna e diktaturës enveriste këtu qé më mizorja në të gjithë Lindjen ish-komuniste. Forca e Ligjit në Gjermani, është shembullore. Te ne ligjin e zbatojnë édhe gjyqtarë me mendësi komuniste. Nëse kemi një përballje në gjyq për pronën, atë në shumë raste nuk e fiton pronari i ligjshëm, por uzurpatori! Një plagë e re: Pronari i ri!
Kritikat për Darmstadtin nuk munguan, natyrisht: - “Po kjo është si ajo që ka bërë Stalini! A mund të bëjmë demokraci me veprimtari staliniste?”.
Kundërkritikat: Nuk zhduket sëmundja pa ilaçe. Ilaçet quhen farmak (helm). Këto shiten në farmaci, shitore e cila, po ashtu, e ka origjinën e emërtesës tek helmi. Farmakologjia studion helmet. Ja, pra, që helmi (shoqëror), me helm luftohet. Pa këtë helm farmaceutik, sëmundja mund të bëhet vdekjeprurëse.
Në kushtet tona do të ishte e udhës që një numër ish-të përndjekurish politikë me prestigj t’i bëjnë një notë proteste AP-së së KE-së, pak a shumë me këtë përmbajtje: „Zotërinj, E majta jonë shqiptare sikur po tallet me Rezolutën tuaj për dënimin e krimeve të totalitarizmit komunist. Ndonëse e djathta jonë nuk e miratoi përçapjen e komunistëve të Enverit, për të legalizuar PK-në e tyre, legalizimin e bëri e majta jonë, sapo vuri pushtetin në dorë, me anë të revolucionit bolshevik „të vonuar“ të 1997-s: Majtizmi shqiptar hipokrit, kinse properëndimor, legalizoi P. Komuniste enveriste të Hysni Milloshit, vuri portretin e diktatorit E. Hoxha brenda mureve të ministrisë së Jashtme, pavarësisht nga protestat e përsëritura të ish-të përndjekurve, gjersa ky turp i ish-ministrit të Jashtëm P. Milo, u mbyll nga ndërhyrja e Doris Pakut; përkujtohet diktatori komunist çdo 16 shtator në Pezë, me bashkëfajësinë dhe me nismën e “kryetarit” të PS-së, E. Ramës dhe, tash së fundi, po dëgjojmë apologjitë enveriste të gruas së diktatorit, Nexhmije Hoxhës, protagoniste e Luftës terroriste të Klasave në vendin tonë. Si institucion i rëndësishëm i BE-së, kërkojmë prononcimin tuaj për faktin e dyfaqësisë së të majtës sonë për atë sesa respektohen vendimet e BE-së nga kjo farë e majte që, sipas nesh, është krejtësisht e pangjashme me formacionet politike të vendeve demokratike në Perëndim dhe në SHBA“.
Natyrisht po japim vetëm përmbajtjen, siç e mendojmë; por një dokument i tillë jam i mendimit se ia vlen të dalë; sepse Nexhmija jo vetëm që është e papenduar për atë masakër që është bërë ndaj shqiptarëve, por herë ajo, herë Ramiz Alia, herë të dy bashkë dhe herë të tjerë si ata, po e rëndojnë edhe më tepër atmosferën prodiktatoriale antidemokratike në vendin tonë, në të cilën mëkatarët e dikurshëm na sugjerojnë që të mos merremi me krimin e sistemit mendor të tyre, si Masakra e Tivarit, por të merremi me rishikimin e zgjedhjeve të cilat janë monitoruar plotësisht nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendor.
* * *
Nexhmija shan me mllef të papërmbajtur D. Mugoshën dhe ngre në qiell M. Popoviçin. Për Dushanin: “I lig, i ulët, agjent i UDB-së”. Për Miladinin: “Ai qé ndryshe. I edukuar, me kulturë. I donte shqiptarët”. Për Dushan Mugoshën, mbase ka kujtuar se nuk do t’i dilte hipokrizia në fac simile, me letrën e saj të 7 majit 1944, që fillon me “I dashur shoku Dushan”, vazhdon me “e ndjej mungesën tënde...”, më tej me “i gjithë populli shqiptar do të të ketë një mik të dashur”, dhe përfundon me “mos na harro”. (Vladimir Dedier, “Il sangue traditto”, 1949, f. 208-209, riprodhuar në “55”, më 1.10. 2008). Për Miladinin harron se është vrasës prapa shpine i Mustafa Gjinishit, ai bashkë me të shoqin. E varrosën edhe me nderime, për ta shpallur, pastaj, tradhtar. Të dy së bashku, me bashkëfajësinë e E. H.-s, janë përgjegjës për luftën civile, veçanërisht pas Konferencës së Mukjes.
Kur erdhi muhabeti për ato ndreqje-prishjet dhe kapërcimet hu më hu, (Me Jugosllavinë – pastaj prishja me të; me BS, pastaj prishja; me Kinën, pastaj prishja; së fundi bunkerizimi (prishje me të gjithë dhe na rrofshin bunkerët!), pyetjes përse s’u bashkuat me perëndimin? - ja budallallëku i radhës: - Po të ishte për veten tonë, Enveri mund të bënte si Tito; të bridhnim edhe ne nëpër botë...
Po. Veçse ai s’kishte këllqë si Tito! Enver Hoxha u prish me Titon, u prish edhe me Hrushovin, se i fluturonte karrigia! Ata mirëbesuesit e shkretë të Konferencës së Tiranës, i besuan pritjes solemne të Hrushovit, fjalët e para të mira të Enverit për kongresin XX të BS, kinse E.H. ishte dakord edhe për luftën kundër kultit të individit. Por, sa u konsolidua paksa Zeusi shqiptar, ata të Konf. Tiranës e dinë se ç’pësuan! Në Konf. Tiranës, E.H. e kuptoi se me destalinizimin do ta pësonte edhe ai vetë, si adhuruesi i tij! Prandaj të mos na thotë punëra kalamajsh Nexhmija që i shoqi e kishte të lehtë të bënte si Tito e të gjezdiste ajo dhe familja e kallamkusuri i saj nëpër botë! (Ndonëse gratë e Bllokut, me atë në krye, vinin në Paris edhe për një dhëmballë!). Pastaj, me disa fjalë të ngatërruara, se ç’foli se këto dredhje bishti u bënë për pavarësinë e Shqipërisë. Kush e cenonte? Perëndimi? Perëndimi demokratik nuk linte t’ia hanin arrët njëri-tjetrit vendet e bashkësisë së tij. është fakt se Kosovës ia dha pavarësinë Perëndimi dhe SHBA-të, jo e adhuruara e Jugosllavisë dhe shoqata e saj mëkatare Jugosllavi- Shqipëri!
Kur erdhi puna për kërkesën e faljes, na u desh të dëgjojmë një përgjigje gjeniale: - “Unë kam mendimin tim” (Secili ka të vetin!- nuk është përgjigje kjo). “Mund të kërkohet (falja) që i ka bërë një gjë të padrejtë” (Kjo fjali është e çakorduar nga ana sintaksore dhe kërkon redaktim: mbase fjalia ka kuptimin se mund të ketë edhe ndonjë rast apo disa raste padrejtësie dhe falja mund të kërkohet nga ata që e kanë pësuar). “Unë jam e sistemit tjetër” (E dimë edhe pa e thënë!). “S’mund të më kërkosh falje(!)”. (Unë të të kërkoj falje, ty?! Ka dashur të thotë: “S’mund të pretendosh nga unë që të të kërkoj falje”. Përse? Se je e sistemit tjetër?).” Ti je i sistemit tjetër” (Fjalë parazitare. E dimë edhe këtë! Nëse ti je e atij sistemi, kuptohet që unë jam i sistemit tjetër! Po ç’lidhje kanë këto me faljen?). “Faljet s’ka (s’kanë) kuptim. Paguhet”. (E thotë në njëjës foljen dhe mendimi del pa kuptim fare. E vështirë të redaktohet, por jo e pamundur: “Paguhen”, mbase në kuptimin që ky veprim, i kërkimit të faljes, përmban detyrime po të bëhet. Ndofta mund të ketë një kuptim tjetër, por eja e gjeje!). “Kjo është i kam paguar rëndë” (regjistruar fjalë për fjalë. Gjeja kuptimin, në mundsh!). “Sa ngritëm ... rinia ime, kontributi im”... “u shkatërruan fabrikat (e amortizuara, si kryevepra e P., metalurgjiku i Elbasanit, ndotës i tmerrshëm ekologjik; apo Kombinati i tekstilit “Stalin” – ç’emërtim entuziazmues!) – pastaj le të bëhet një anketim kush i shkatërroi? Cilët qenë huliganët? Kush ishin paraardhësit shkatërrimtarë të ’97-s? “Ja, dosjet...”
Asgjë s’kuptohet qartësisht. Për gjëra të tilla pa lidhje, Konica tallej me këto vargje: E kam çupën bojë ezmere, / dhoma ime bojë gëlqere! Vetëm një gjë kuptohet mirë: - Nuk kërkoj falje!
A e ka lexuar librin “Zonja e zezë” kjo panterë, që tmerronte njerëzit në kohën e saj?