Mësime nga dështimi i gjigantëve financiarë
Askush nuk e kishte menduar që pikërisht në 2008, kur dukej se sistemi financiar botëror kishte arritur përsosmëri në efikasitet dhe shpërndarjen globale të rrezikut, gjigantët financiarë do të falimentonin njëri pas tjetrit, duke e futur ekonominë botërore në një situatë paniku të paparë për dekada të tëra. Siç e komenton ish-Guvernatori i Bankës Qendrore amerikane (Federal Reserve), Alan Greenspan, një krizë e përmasave të tilla ndodh njëherë në shekull. Duket paradoksale që financierët amerikanë të konsideruar si më të talentuarit dhe më fantazistët, gjenden sot të shokuar dhe pa rrugëzgjidhje për të dalë nga kjo krizë. Por ironia nuk mbaron me kaq, janë pikërisht këta kapitalistë gjigantë që predikojnë modelin ekonomik ‘laissez-faire’ duke kundërshtuar në mënyrë të flaktë ndërhyrjen e qeverisë, që tani presin shpëtimin nga qeveria.
Kriza financiare nisi fillimisht në SHBA, por u shtri shumë shpejt në mbarë botën duke ilustruar globalizimin e ekonomisë dhe biznesit botëror. Shkaqet dhe fajtorët janë të ndryshëm dhe fillojnë me mungesën e kontrollit adekuat nga ana e qeverisë për praktikat e huadhënies për të përfunduar me natyrën spekulative të investimeve te shumë institucione të mëdha financiare. Epiqendra e kësaj krize ishte relaksimi i kritereve për huamarrje nga ana e bankave. Individë me të ardhura minimale që nuk duhet të kualifikoheshin as për një kartë krediti, arritën të sigurojnë kredi paralele që arrinin në disa qindra-mijëra dollarë. Kaq absurde u bë kjo atmosferë euforike në sistemin bankar amerikan, sa bankat jepnin kredi për shtëpi pa asnjë verifikim të ardhurash dhe pa kurrfarë kolaterali. Sigurisht që nxitja ishte zgjerimi i tregut dhe rritja e të ardhurave të interesit. Për sa kohë që tregu i banesave ishte në rritje, të gjithë ishin të lumtur. Konsumatorët i shisnin shtëpitë njëri-tjetrit dhe bankat fitonin nga interesi. Tullumbacja e çmimeve doli jashtë kontrollit dhe vlera e real estate shënoi rritje që shkonin deri në 200% në vit, në zona si Florida apo Kalifornia. Ndërkohë, financierët fantazistë i grumbullonin kreditë e konsumatoreve dhe i shndërronin ato në paketa investimesh që bliheshin nga investitorë që nga një komunë e vogël në Norvegji, deri te kompani multi-miliardere në Dubai e Kinë. Kështu, virusi amerikan u shpërhap në gjithë botën me një shpejtësi të frikshme.
Një situatë vërtet kritike, që i shëmbëllente firmave tona piramidale në 1997, sigurisht që nuk mund të vazhdonte përjetësisht. Vjen një pikë që ligjet e biznesit nuk mund të shmangeshin më. Çmimet e banesave nuk mund të rriteshin më, kredimarrësit e varfër nuk mund të paguanin obligimet e tyre dhe bankat nuk mund të jepnin me kredi, sepse nuk po merrnin më pagesa të rregullta. Dhe kështu gjendemi në një krizë të thellë financiare, ku mungon likuiditeti i bankave dhe tregu për asetet e tyre të zhvleftësuara. Banka gjigante amerikane me asete disa qindra miliarda dollarësh u katandisën pa vlerë, sepse investimet spekulative të lidhura me kreditë e shtëpive po humbisnin vlerë çdo ditë. Bursat amerikane humbën mbi 30% në më pak se një vit, dhe kështu kompanitë dhe konsumatori amerikan u varfërua çdo ditë e më tepër. Ndërsa për konsumatorin shqiptar investimi në bursë është një koncept abstrakt, ndodh krejt ndryshe për konsumatorin botëror, që e ka jetën të lidhur ngushtë me bursën, ku investohet një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave, pensioneve, depozitave në bankë etj. Qeveria amerikane u detyrua të marrë vendime të tipit socialist duke blerë institucione private për të shmangur panikun e investitorëve dhe kolapsin e sistemit financiar.
Por qëllimi i këtij artikulli nuk është më shumë përshkrimi i krizës financiare amerikane sesa është një reflektim mbi domethënien e kësaj krize dhe leksionet që i jep ajo një ekonomie të re tregu, siç është ekonomia jonë.
Fatmirësisht, (dhe këtë nuk mund ta thuash shpesh), jemi ende në fazën fillestare të një ekonomie dhe sistemi financiar global, dhe rrjedhimisht jemi disi më të izoluar nga impakti që është duke pasur kriza financiare botërore. Ekonomia dhe tregu shqiptar janë ende të shkëputur nga dinamikat predominante të ekonomisë globale, dhe kjo ka bërë që pasojat të mos ndihen shumë. Nga ana tjetër, duhet përgëzuar Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori Fullani për një punë të admirueshme në pikëpamje të menaxhimit të faktorëve makroekonomike dhe për hartimin e një politike efikase për kontrollin e inflacionit, (që është vetëm 4%, më i ulëti në rajon).
Banka e Shqipërisë ka një rekord impresionues të implementimit të praktikave bankare moderne, duke i përshtatur ato në funksion të kushteve të ekonomisë vendore.
Megjithatë, vihet re një dukuri shqetësuese edhe në sistemin tonë financiar. Bankat që operojnë në vend, qofshin të huaja apo vendase, kanë përqafuar me zell politikat liberale kreditore. Ndërsa kjo i ka dhënë zhvillim sistemit bankar dhe biznesit, vihen re shenjat e para të dukurisë amerikane, mos-performancës së kredive. Është rritur ndjeshëm përqindja e kredive të këqija dhe kambanat e alarmit duhet të bien, përpara se të jetë vonë.
Duke qenë autoriteti i politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka detyrën kryesore për të monitoruar efektin që politikat monetare kanë mbi sistemin bankar në vend. Edhe më kritike është përsosja e sistemit të kontrollit për të dekurajuar bankat në vend nga dhënia e kredive të pastudiuara e të rrezikshme. Papërgjegjshmëria në kredidhënie do të rrezikojë seriozisht likuiditetin e bankave dhe shenjat e para të krizës do të pasohen nga vrapi i popullit drejt bankave për të tërhequr depozitat. Kjo do të ishte vërtetë e frikshme, sepse është pikërisht ajo që ndodhi në SHBA që çoi në falimentimin e disa bankave gjigante. Kujtimi i firmave piramidale të viteve ’90, është ende i freskët në mendjet tona, dhe shenjat e para të mungesës së stabilitetit financiar, do të shkaktojnë frikë të përgjithshme.
Duhet pranuar që sistemi ynë bankar është shumë më i sigurt sesa ai i 1997, megjithatë dështimi i sistemit amerikan që konsiderohej imun ndaj rreziqeve të tilla, tregoi se mungesa e një sistemi efikas kontrolli vë në rrezik çdo bankë apo institucion financiar, pavarësisht nga madhësia apo gjatësia e ekzistencës. Ekonomia shqiptare është shumë e brishtë për të përballuar kriza financiare të tilla, prandaj është më lehtë të parandalohet një krizë sesa të zgjidhet. Për këtë mjafton të pyesësh Bankën Qendrore dhe qeverinë amerikane.
* Menaxher në Fifth Third Bank - SHBA