Një përpjekje për mosheqjen e imunitetit
Kjo përpjekje në të vërtetë është nga ana tjetër dhe një lëvizje e tij e re politike me shumë rrisqe. Në situatën në të cilën është sot, Berisha duhet të jetë shumë luajal dhe shumë i besueshëm për të mos qenë i dyshimtë. Ftesa për në NATO dhe anëtarësimi i pritshëm kanë rritur shumë jo vetëm vëmendjen dhe kushtet politike, por dhe vëmendjen ndaj detajeve të sjelljes politike të Berishës. Me gjestin e djeshëm në konferencën për shtyp dhe sjelljen gati diskriminuese ndaj atij që ai e quan “pushtet” të presidentit Topi mbi drejtësinë, ai nuk ka më thuajse asnjë aleat në nismat që shpall. Kështu, përpjekja për të ndryshuar ligjin për prokurorinë te çështja e imunitetit dhe iniciativat për të kontrolluar gjykatat me komisarë, janë përpjekje politike që nuk e çojnë te konsensusi, por te debati dhe lufta politike. Duke qenë të tilla, dhe nëse ato nuk bëhen të rrezikshme për vendin, nuk bëhen efektive për Berishën. Nëse ai ngelet i pambështetur në iniciativat e veta dhe nëse opozita dhe ndërkombëtarët bëhen bllok me sistemin e drejtësisë dhe ia kundërshtojnë, atëherë ai nuk ka fituar asgjë politikisht. Përkundrazi, ai ka humbur besimin dhe ka shtuar telashet për një vend në prag të anëtarësimit në NATO.
Anëtarësimi në NATO shihet nga shumë dyshues për Berishën si një rast i ri për revansh ndaj institucioneve. Ashtu siç ndodhi pas marrjes së ftesës për në NATO, kur qeveria bëri shumë hapa prapa nga arroganca, shumë kritikë perëndimorë të Berishës dyshojnë se kjo gjë mund të përsëritet. Gjestet që ai bën me drejtësinë, janë sinjali i parë negativ. Frika e tij për të hequr imunitetin e tij para drejtësisë, e bën edhe më të dyshimtë.