E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësimet e munguara prej emergjencave

Një muaj më parë, pjesa më e madhe e komunave dhe lagjeve periferike të Shkodrës u përmbytën nën ujë. Humbjet materiale ishinnë përmasa të krahasueshme me fatkeqësitë më të rënda natyrore të ndodhura në vendin tonë. Disa mijëra familje u zhvendosën nga banesat e tyre, biznesi dhe prona private, toka, pajisjet dhe gjithçka tjetër humbën nën ujë. Shkak ishin reshjet e shumta të shiut, prurjet e lumenjve, dëbora dhe ndryshimi i shpeshtë i klimës. I detyruar nga kuotat, KESH hapi portat e tri hidrocentraleve, duke ndikuar në rritjen dhe zgjatjen e përmbytjeve. Zyrtarisht qeveria tha se ishte një fatkeqësi që ndodh njëherë në 100 vjet dhe që lidhej edhe me ngrohjen globale. Emergjenca kaloi dhe parlamenti zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme debati, gjatë së cilës ministrat, deputetët dhe titullarët e tyre thurën lavde pa fund për njëri-tjetrin, për përballimin me sukses të emergjencës.

Pas një muaji përsëri, të njëjtat zona janë nën ujë. Shkak përsëri janë reshjet e shumta të shiut, prurjet e lumenjve, shkrirja e dëborës dhe ndryshimi i shpeshtë i klimës. Edhe në këtë rast gjendja duket e njëjtë, humbje të mëdha materiale, zhvendosje për mijëra familje, dëmtime të pasurisë private dhe publike, etj. Edhe këtë herë kuotat e larta detyruan KESH të hapë portat e tri hidrocentraleve, duke ndikuar në rritjen dhe zgjatjen e përmbytjeve. Gjysma e qeverisë është zhvendosur në Shkodrës dhe sinjalet janë për një gjendje dramatike, si ajo e muajit janar.

Historia përsëritet me dy emergjenca kombëtare brenda një muaji. I njëjti vend, e njëjta gjendje, të njëjtat rrethana, të njëjtat pasoja, të njëjtit aktor administrues, të njëjtit qytetarë të prekur, të njëjtat forma sjelljeve dhe të njëjtat reagime nga institucionet përgjegjëse. Kështu ka ndodhur edhe më 2004, edhe më 1996 dhe në përmasa më të vogla, edhe në disa raste të tjera gjatë 20 viteve të fundit. Kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen, ndofta jo në muajin mars, por një vit më vonë, dy apo më shumë vjet më vonë. Natyrisht, ngjarje të tilla ndodhin edhe në vendet e zhvilluara, porse përmasat dhe pasojat e tyre, janë të pakrahasueshme me modelin e emergjencës shqiptare. Sepse tek ne, emergjenca e një gjendjeje të rëndë ka vlerë vetëm për aq ditë sa zgjat, sa përbën lajm në media, kurse një ditë më pas, kur banorët përballen me pasojat, askush nuk merret më me të. Sjellja jonë ndaj emergjencave dhe sidomos ndaj shkakut dhe pasojës së tyre, është sjellja tipike e atij qytetarit që harron të marrë çadrën me vete në mëngjes dhe, edhe pse duke ecur rrugëve në mes të shiut betohet se nuk do të dalë më pa çadër, një ditë më pas, një javë më pas, i përsëritet e njëjta gjendje, bën të njëjtin betim dhe përfundon në të njëjtën mënyrë, në rrugë dhe nën shi.
***
Kjo praktikë e gabuar e veprimit vetëm për përballimin e emergjencave, duke injoruar fazën kryesore, parandalimin e tyre dhe atë po aq thelbësore, eliminimin e pasojave reale të emergjencës, vijon të jetë praktikë zyrtare e vetë shtetit shqiptar, qeverisë, kuvendit, ministrive të linjës, institucioneve qendrore dhe atyre lokale. Shembujt janë të freskët.
***
Qeveria ngriti në janar në komision ndërministror emergjence, i cili pas 2-3 mbledhjeve mediatike, nuk prodhoi një analizë të gjendjes, problematikës dhe pasojave, shoqëruar me faturat financiare dhe plan masat e nevojshme në çdo nivel, për parandalimin e situatave të tilla. Në një vend me pjekuri demokratike qeveria do të zhvillonte mbledhje të posaçme mbi raportin final të këtij komiteti dhe do të miratonte një plan veprimi për eliminimin e pasojave aktuale dhe parandalimin e tyre në të ardhmen.

Kuvendi zhvilloi një seancë joserioze, në të cilën ata që paguhen dhe janë mandatuar nga taksapaguesit shqiptarë për qeverisjen e vendit, miradministrimin dhe mbrojtjen e pronës private e publike, kaluan në paradë suksesesh personale e kolektive, duke krijuar përshtypjen se kemi të bëjmë me fitimtarë të një luftë kundër jashtëtokësorëve dhe jo me zyrtarë që nuk janë pa përgjegjësi në vetë provokimin dhe krijimin e situatës së emergjencës. Në një vend me pjekuri demokratike parlamenti do të merrte në pyetje dhe raport qeverinë dhe agjencitë e varësisë, me synim miratimin e një rezolute udhëzuese për çdo institucion, për parandalimin e situatave të njëjta në të ardhmen.
Në Kushtetutën e Shqipërisë ekziston edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, organ që minimalisht duhet të veprojë në rastet e emergjencave kombëtare. Në janar ky organ i rëndësishëm në koordinimin e institucioneve dhe pushteteve të përfshira, nuk u vu në punë dhe as tani nuk ka sinjale se mund të bëhet funksional. Në një vend me pjekuri demokratike KSK do të ishte vendi ku të gjitha informacionet e shtetit do të ballafaqoheshin për një platformë të qëndrueshme dhe afatgjatë kompensuese dhe parandaluese.

Në linjën shtetërore veprojnë edhe njësitë vendore (qark, prefekt, bashki, komuna), të cilat në janar e përqendruan pjesën më të madhe të kohës në shoqërimin mediatik të funksionarëve të lartë të ardhur nga Tirana, dhe midis dy emergjencave, harxhuan kohë dhe energji të mëdha për të regjistruar të gjitha humbjet private e publike, me qëllim dëmshpërblimin e premtuar nga qeveria. Shifra mesatare e kompensimit (1000 euro) që këto organe konkluduan, ishte sa simbolike aq edhe fyese për pjesën më të madhe të familjeve të dëmtuara. Në gjendjen e re të emergjencës institucionet lokale janë përsëri në funksion formal, kryesisht duke orientuar ushtrinë dhe forcat e emergjencës për zhvendosje apo ndihmë humanitare për familje e fshatra të kërcënuara nga uji.
***
Në janar u desh ndihma ushtarake, materiale, në personel dhe në mjete financiare e disa shteteve europiane, përfshirë edhe fqinjët tanë maqedonas e greke, që situata të përballohej pa humbje njerëzore. Sot helikopterët, ushtarakët apo specialistët e huaj janë larguar dhe emergjenca po përballohet me mjete minimale vendore, të afta të shpëtojnë jetët njerëzore, jo të mirat materiale të disa qindra familjeve të dëmtuara.
***
Në këtë mënyrë, ndonëse emergjenca përsëritet brenda një muaji, ne ende nuk mësohemi të sillemi ndaj saj, nuk bëjmë asgjë për parandalimin e saj, nuk dimë (duam) të merremi më pasojat e saj. Sepse secili zyrtar, qendror e lokal, i madh apo i vogël, mendon për postin dhe privilegjet e momentit, kërkon ta kalojë me çdo çmim testin e tij, pa menduar se çfarë do të ndodhë nesër, se postet janë të përkohshme dhe shteti i përhershëm, se shtetar i aftë nuk është ai që kalon për vete lumin, por që parandalon vërshimin e lumit mbi të tjerët. Duke u sjellë kështu, pa analiza dhe përfundime, pa masa paraprake dhe pas përgjegjësi zyrtare, pa parë se çfarë nuk ka funksionuar si duhet dhe ku duhet të ndërhyjë shteti, ne jemi të dënuar të kalojmë nga emergjenca në emergjencë, në mëshirë të fatit, zotit lart dhe të teknikëve të KESH poshtë. Kjo sjellje absurde vijon edhe kur kemi të bëjmë me jetë qytetarësh, me prona private e publike, me shpenzime të mëdha shtetërore të cilat nëse do të ishin përdorur në fazën parandaluese, sot do të shndërroheshin në investime për zhvillimin e komunitetit atje, jo për përballim emergjencash.

Fatkeqësisht, sjellja si në një gjendje emergjence po kthehet në mënyrë jetese, mendimi e veprimi, jo vetëm në rrethinat e Shkodrës, por edhe në politikën vendimmarrëse, në institucionet qendrore të politikës, në komunikimin institucional, në raportet shtet – individ, në mohimin e të drejtave qytetare me pretekstin e interesit publik, si dhe në aspekte të tjera të funksionimit të shoqërisë dhe të shtetit. Kudo merremi me shkakun jo pasojën, me krizat jo me parandalimin e tyre. Ky është lajmi më i keq, shumë më i keq sesa përmbytjet që ikën apo që erdhën, sesa rrëshqitja e tokës apo sesa dëmtimi i pronës private të disa qytetarëve të pafajshëm. Dhe derisa të mos ndryshojmë për të parandaluar krizat, gjendjet emergjente, kërcënimet, fatkeqësitë etj, ne jemi të dënuar si t’i përjetojmë ato muaj pas muaji, vit pas viti, dekadë pas dekade.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›