E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Saliu kalorës, por me kalë të ngordhur

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, një prej aleatëve më të ngushtë të socialistëve, e cilësoi një “lëvizje taktike” betimin e deputetëve socialistë në Kuvend dhe vijimin e bojkotit. Sipas tij, hyrja në Kuvend e socialistëve bëri që të dështojë antiloja e Berishës. Tani zgjidhja e krizës është në dorën e Berishës, tha Gjinushi gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”.
Zoti Gjinushi, si e vlerësoni hyrjen dhe daljen dje të PS-së nga Parlamenti?
Ne nuk kemi një ndërprerje të bojkotit, por kemi betim të grupit parlamentar të PS-së që është një detyrim kushtetues pa afate, por ama që bëhet një ditë. Siç dihet, PS-ja nuk kishte bojkotuar mandatet, por punimet e Kuvendit. Kështu që bërja e betimit nuk ka lidhje as me ndërprerje bojkoti, dhe s’e komprometon këtë gjë, sepse opozita është e vendosur në atë që nuk ka aktivitet normal të Kuvendit pa u kthyer e drejta legjitime, kushtetuese për hetim parlamentar dhe pa dalë transparenca e plotë mbi zgjedhjet e 28 qershorit. Pra, Kuvendi duhet të vërtetojë legjitimitetin e vet, ta bëjë publik, sepse është vota e popullit që është vjedhur, sepse disa kujtojnë se është vjedhur vota e njërit apo tjetrit, e PSD-së apo e PS-së, kur në fakt ai që është deformuar është vullneti i popullit. Kështu që edhe Kushtetuta detyron një gjë të tillë. Duhet kuptuar që lëvizja e bërë dje, pra bërja e betimit ishte një gjë e parashikuar, një lëvizje taktike. Nuk ka të bëjë me presione dhe diversionet e Berishës.
As me presionin e ndërkombëtarëve?
As me presionin e ndërkombëtarëve në aspektin e mbarimit të mandatit, sepse e thashë dhe e rithem, që bërja e betimit nuk ka afat. Bërja e betimit patjetër lidhet me bërjen funksional të mandatit. Por ama, nuk çon në humbje të mandatit veçse kur refuzohet, gjë që nuk qëndronte në rastin e PS-së, e cila nuk refuzon të bëjë betimin, por refuzon të jetë fasadë e jetës parlamentare, të bëjë krijimin e këtij Kuvendi, i cili për 5 vjet me radhë nuk funksion si i tillë. Ndaj, ritheksoj që betimi ishte parashikuar me kohë, por duhet pranuar që u bë tani edhe për të evituar një diversion tjetër, që duke shfrytëzuar gjoja efektin e mandatit kushtetues disa deputetë të futeshin ndryshe nga vendimi i grupit parlamentar. Kjo ishte vetëm turbullira që kërkojnë të krijojnë, diversioni që kërkohej të krijohej, duke përdorur si alibi Kushtetutën. Sigurisht, me këtë veprim të djeshëm bie kjo mundësi antilojë që Berisha kishte planifikuar. Unë rikujtoj që gjithmonë gjendet një “afat kushtetues” për të justifikuar diversionet dhe çarjet brenda së majtës. Në zgjedhjet lokale të 2007 flitej gjoja për humbje mandatesh të pushtetit lokal në 20 shkurt, dhe të gjithë prisnin që në 21 Rama me shokë të nxirreshin nga zyrat. Dhe, e gjithë kjo u përdor si presion dhe si alibi për LSI-në, për të imponuar dhe për të justifikuar pazarin e saj me PD-në, duke detyruar opozitën të hynte në kushtet e shumicës në zgjedhje. Ndaj, edhe zgjedhjet nuk dolën ashtu siç duhej. U fituan bashkitë dhe u humbën komunat. E njëjta lojë bëhej edhe tani. Shfrytëzohej një afat kushtetues gjoja 6-mujor, për të justifikuar çarjen brenda grupit të PS-së, dhe këtë letër ne ja dogjëm Sali Berishës. Kështu që Saliut i duhet të marrë frymë edhe 6 muaj të tjera, dhe siç dihet që ai është tashmë në limitet, sepse zgjidhja e krizës duhej deri në 6 mars, siç ka thënë BE-ja. Mandatet e PS-së nuk i djegin dot më, as edhe ndonjë ndërkombëtar që ka dashur të mbajë ison e PD-së. Për pasojë, e gjithë loja ka ngelur tek Saliu, sepse ka edhe projektvendimin konform Kushtetutës së Shqipërisë, konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese. E drejta për hetim është një e drejtë universale, sepse s’ka Kushtetutë që ta kufizojë, sepse hetimi në fund të fundit është bërje publike e shkeljeve të konstatuara. Dhe, nga kjo ka frikë vetëm ai që i trembet të vërtetës, sepse e di që ky raport publik do jetë i kundërt me rezultatin që kanë zgjedhjet deri tani.
Nisur nga përgjigja që dha kryeministri Berisha se ai është mësuar të jetë “kavalier”, a mendoni se opozita ka shanse të realizojë projektet e saj?
Tani, Saliu kavalier mund të jetë, por s’është kalorës, dhe sigurisht titullin “kavalier” e mori në Itali, kur foli për prostitutat, në bisedë me kavalierin italian, pra kur në mënyrën më poshtëruese atë s’e trajtuan si kryeministër, por si tregtar prostitucioni, ku i kërkuan cilësi më të mirë, por jo ndalje të këtij trafiku të qenieve njerëzore. Saliu, pikërisht u ka treguar shqiptarëve që është kalorës që edhe kur i ngordh kali, nuk i zbret, por e heq zvarrë. Me kalë të ngordhur nuk fitohet gara, dhe këtë kosto e paguajnë shqiptarët. Të gjithë e dinë që tashmë kanë një qeveri që hiqet zvarrë. Kjo qeveri, pas 4 vjet “suksesesh të papara” rezulton që s’ka bërë asnjë reformë, madje as shëndetësore, meqë ai është doktor. Rezulton një qeveri që është në konflikt të plotë me të tëra institucionet. Besoj ju kujtohet replika e Berishës, që kur i thoshin do uleni me Topin, ai thoshte: “Unë ulem edhe me Ramën”. Kjo është si historitë e adoleshencës, që thoshin kur rri me gjermanin, pse s’rri edhe me italianin. Dihen raportet e tija me të gjitha institucionet e vendit. Dihet që ai e mbylli reformën në drejtësi me ligjin e pastrimit, që në fakt ishte ligj antisistem drejtësie. Vetëm për të vendosur nën kontroll drejtësinë e bëri këtë, dhe lemeriti edhe Departamentin e Shtetit, edhe KE-në, edhe BE-në. Dihet që ai po vazhdon po njëlloj me SHISH-in, me KKRT-në apo me mitingjet e tipit “të partisë së Punës”, sepse duhet kuptuar që pjesëmarrja në mitingje tregon forcën e opozitës, ndërsa pjesëmarrja masive në mitingjet e qeverisë tregon dështimin e saj. Vetëm qeveritë diktatoriale demonstrojnë forcën e mitingjeve. Në demokraci nuk njihen mitingje në mbështetje të qeverisë. Por, mbi të tëra, kjo qeveri tanimë është qeveria që është më e korruptuara. Me këtë qeveri kurrkush nuk mund të mendojë se do të ketë zgjedhje më të mira. 2007 ishte një dështim total. 2009 u duk se do të kishte disa përmirësime, por doli se s’i ka kapur standardet. Krahasuar me standardet e 2005 në 2009 janë shkelur më rëndë këto standarde. Vetëm një detaj, në 2009 raporti ka 5 standarde të shkelura, ndërsa në 2005 ka vetëm 2. Dhe, këto të 5 janë 5 parimet kushtetuese për zgjedhje të lira dhe të ndershme: liria, barazia, fshehtësia, vota vetjake dhe e drejta e votës. Pra, nuk ka shkelur ndonjë gjë të madhe Saliu, vetëm këto 5 parime. Pra, me këtë qeveri s’mund të ecet më tej. Me këtë kalë të ngordhur ka vetëm zvarritje, vetëm prapambetje. Gjithkush do të pranonte një zgjidhje tjetër: pra që qeveria largohet, kryeministri më i dështuar, më i korruptuar, më konfliktual, më i implikuari me sistemin e drejtësisë largohet, dhe i hapet rrugë një bashkëqeverisje. Këtë e thotë edhe vota e 28 qershorit, e numëruar tashmë dhe jo më vota që ndodhet në kuti, që flet akoma më shumë për atë që për një periudhë të caktuar vendin mund ta qeverisë vetëm një qeveri që ka 74 vota, por duhet të ketë mbi 84, madje duhet të ketë 140. një qeveri e tillë, absolutisht nuk ecën më mbi kalë të ngordhur, por ka konsensusin e reformave, ka interesin e reformave të paanshme, menjëherë merr liberalizimin e vizave, arrin kapjen e statutit të vendit kandidat, çon vendin në zgjedhje të lira e të ndershme dhe të standardeve ku të fitojë ai që e meriton. Me zgjedhje jashtë standardeve, sigurisht që fitojnë mallrat jashtë standardit.
Pra, ju i qëndroni idesë për zgjedhje të parakohshme?
Nuk ka zgjidhje tjetër. Shqipëria nuk kaloi provën kryesore, bërjen e zgjedhjeve të standardeve. Pavarësisht nga të gjitha pehlivanllëqet që përpiqen të bëjnë, në raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri, mungon fraza e famshme, “zgjedhjet kapën standardet e Këshillit të Evropës”. Zëvendësimi i fjalës “standardet e Këshillit të Evropës”, me “standarde më të larta” është vetëm për të evituar faktin e hidhur që nuk kapëm standardet e Evropës, sepse Evropa ka standarde të larta. Po qe për Afrikën, Saliu mbase e ka kaluar klasën, por për në BE, absolutisht ne jemi i vetmi vend në rajon që s’plotësojmë standardet. Vetëm kjo duhet ta çonte politikën në atë që të mendonte për zgjedhje të parakohshme, për t’i dhënë standarde vendit. Por, edhe me zgjedhje jashtë standardi, asnjëri s’mori 70 mandate, pra bëhesh dy herë ilegjitim për të qeverisur. Lëvizja e Metës nuk ishte zgjidhje politike. është pazar politik, sepse janë mandate të transferuara vetëm për interesa, dhe jo në bazë të vullnetit të popullit. Pra, Sala kryeministër ka marrë vetëm 700 mijë vota, për jokryeministër ka marrë 800 e ca mijë vota. Po të hapen edhe kutitë, vete 1 milion. Atëherë, sigurisht që kushdo do të afronte vetëm këtë zgjidhje. Por, kjo është thelluar më mbrapa, sepse është delegjitimuar më tej me përmbytjet në Shkodër, me rënien e tunelit, etj. Sot më shumë se kurrë duhet një bashkëqeverisje.
Kur dhe si mund të arrihet kjo?
Dilema përfundimisht, me lëvizjen e opozitës dhe me forcimin e dy faktorëve, që populli tashmë në shumicë do hapjen e kutive, pra ndryshe do të vërtetën mbi zgjedhjet, ndryshe do të vërtetën mbi legjitimitetin, qoftë edhe formal të kësaj qeverie. Komuniteti ndërkombëtar, e dyta, pranon hetimin e zgjedhjeve. Dhe, të pranosh hetim të zgjedhjeve do të thotë të pranosh që ka shkelje, që zgjedhjet nuk i kanë kapur standardet. Në këtë situatë mbeten përfundimisht vetëm dy alternativa; hapen kutitë në mënyrë të detyruar dhe ato çojnë në largimin e kësaj qeverie dhe në kthimin e legjitimitetin në Shqipëri, ose largohet kjo qeveri dhe kjo mundëson hapjen e kutive, pra vetëm punë radhe mund të zgjedhë Saliu: të hapë kutitë dhe të ikë, apo të ikë që të hapen kutitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›