E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrenjtohet nafta

Për më pak se një muaj, çmimi i naftës është ngritur në 83 dollarë për barelë nga 62 dollarë sa ka qenë në bursat ndërkombëtare. Ekspertët ndërkombëtarë i frikohen përsëritjes së rekordeve me çmime të naftës, që në vitin 2008 pati arritur në 141 dollarë një barel. Frika e tyre vjen pasi kohët e fundit, lëvizjet e çmimeve të naftës janë në trend pozitiv. Këtyre ndryshimeve nuk u shpëton as Kosova.

Udhëheqës të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës thonë se kjo ngritje, tani për tani, nuk ka reflektuar shumë në tregun e Kosovës, por nuk përjashtojnë mundësinë që nëse vazhdon ky trend, të ndryshojnë çmimet.

Megjithatë, që nga fillimi i javës derivatet në pikat e shitjes me pakicë dhe shumicë në Kosovë janë për 3 cent më shtrenjtë.

Nazmi Bytyqi, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, pohon se lëvizjet e çmimeve në bursa janë të vogla dhe fatmirësisht nuk kanë ndikuar shumë në Kosovë. Megjithatë, ai thotë se si shoqatë nuk kanë ndikim në përcaktimin e çmimit, pasi një gjë e tillë është në duar të ekonomisë së tregut.

Bytyqi nuk beson se do të ketë ngritje të mëdha të çmimeve të karburanteve që do t’i afroheshin rekordit të vitit 2008, pasi që kohës së fundit, sipas tij, ka lajme të mira se ekonomitë botërore po dalin nga recesioni.

Ndërkaq çmimi i karburanteve me shumicë, në pikat e shitjes nga importuesit e licencuar në Kosovë sillet nga 0.88 euro për naftën dhe 0.91 euro për benzinën. Me pakicë, mesatarisht një litër naftë në pikat e shitjes kushton 0.89 nafta, derisa benzina kushton 0.95 euro.

“Ende nuk ka informacione zyrtare se sa është ngritja reale e çmimeve në treg”, thekson Bytyqi.

Ndërkaq, në disa pika të shitjes çmimi për një litër benzinë kalon edhe mbi 1 euro.
Kreu i shoqatës së naftëtarëve fajin për çrregullim të tregut ia hedh edhe kontrabandës me derivate nga Serbia.

Ai thotë se sasi të mëdha të naftës futen në territorin e Kosovës, të kontrabanduara përmes veriut pasi që nuk kontrollohet kufiri si duhet.

“Kontrabanda vazhdon dhe nuk është ndalur ende”, pohon Bytyqi.

Në mungesë të kapaciteteve të mëdha për deponimin e derivateve në Kosovë, kompanitë importuese, sipas naftëtarëve, janë të detyruar që në sasi të vogla të importojnë shpesh naftë nga rafineritë. Kjo sipas tyre bënë që ndryshimet në bursë të ndikojnë direkt në çmimin e shitjes në Kosovë.

Vetëm të enjten, ata thonë se çmimi është ngritur për 1 cent, ngjashëm si është ngritur në bursë, duke shpjeguar se në ngarkesat që vinë nga importi ka pasur shtrenjtim për 30 dollarë në ton.

Në Kosovë, nafta dhe derivatet e saj kryesisht importohen nga Greqia dhe Maqedonia, por një pjesë tjetër deri më tani, sipas të dhënave nga tregtarët dhe zyrtarët e institucioneve të Kosovës është importuar nga Serbia, pjesa më e madhe e të cilës vjen e kontrabanduar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›