E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësoi nga Jancker

Atdhe Nuhiu thotë se ka mësuar shumë nga ish sulmuesi gjerman Carsten Jancker, i cili ishte trajner i të rinjve në Rapid Wien. Sulmuesi shqiptar insiston se fituesi i Ligës së Kampionëve me Bayern Munich ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin e tij si futbollist. Nga Express më 05 maj 2011 në ora 14:20

Si çdo futbollist, edhe Atdhe Nuhiu e ka modelin e lojës së tij. Sulmuesi shqiptar e ka pasur rastin të punojë me ish sulmuesin gjerman Carsten Jancker, kur kishte arritur në Rapid Wien dy vjet më parë.

21 vjeçari ndihet falënderues ndaj fituesit të Ligës së Kampionëve me Bayern Munchen (2001), i cili përpos Nuhiut, ndërkohë kishte punuar edhe me sulmuesin tjetër shqiptar, Hamdi Salihu dhe me lojtarët tjerë të Rapidit, ku e kishte marrë detyrën e trajnerit të ekipit të të rinjve.

“Kam mësuar nga Jancker çdo ditë. Ai mundohej ta shfrytëzonte çdo minutë duke punuar me mua. Jancker ishte një tip lojtari i njëjtë siç jam unë. Ai ka arritur shumë në karrierë. Ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin tim si lojtar. Unë jam munduar të kap sa më shumë gjëra nga ai. Dëshiroj ta falënderoj nga zemra për punën që ka bërë me mua”, tha Nuhiu për ueb faqen sport10.at.

Për Nuhiun e mërkura ishte një ditë e veçantë. Skuadra e tij aktuale, Rapid luajti në gjysmëfinale të Kupës së Austrisë pikërisht ndaj ish skuadrës, Ried, ku ai kaloi një periudhë ideale. “Ishte një sezon i madh dhe i suksesshëm për mua. Më kujtohet shumë mirë ajo periudhë”, tha numri 15 i Rapidit.

Nuhiu nuk e ka shumë problem nëse luan rregullisht apo jo. Për të më me rëndësi është suksesi i ekipit. Ai nuk është pjesë e rregullt e formacionit të parë të ekipit austriak, por në të ardhmen pritet që t’i jepet më shumë hapësirë në fushën e gjelbër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›