E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa nafakë

Fidan Seferi assesi nuk po arrin që të debutojë në elitën e futbollit finlandez. Këtë vit ishte afër, por lëndimi i gjurit e detyroi ta shkëpusë kontratën me klubin Mypas. Sulmuesin kosovar fati i njëjtë e kishte përcjellë edhe në vitin 2006, sa ishte pjesë e skuadrës AC Allianssi. Megjithëkëtë, 24-vjeçari beson se një ditë do të luajë në Veikkausliga. Nga Valdet Hasani më 05 maj 2011 në ora 14:25

Elita e futbollit finlandez (Veikkausliga) vazhdon të mbetet një ‘mace e zezë’ për Fidan Seferin. Sulmuesi i talentuar kosovar assesi nuk po arrin që karrierën ta vazhdojë në nivelin më të lartë në futbollit finlandez.

Pas një sezoni të shkëlqyeshëm me ekipin nga liga e dytë finlandeze FC Espoo, 24-vjeçari gjatë dimrit, u transferua te skuadra e Mypas. Por një lëndim i pësuar në gju e ka detyruar Seferin që javën e kaluar ta shkëpusë kontratën me këtë klub.

“Kam pësuar një lëndim në gju, i cili do të më lërë katër muaj jashtë fushës. Pas kësaj, vendosa ta shkëpus kontratën me Mypan pasi nuk mund të rrija larg familjes. Drejtuesit e këtij klubi m’i kanë lënë dyert e hapura që të rikthehem kur të shërohem”, ka thënë Seferi për Express.

Por fat i njëjtë sulmuesin e lindur në Kosovë e kishte përcjellë edhe gjatë vitit 2006, kur ishte transferuat te skuadra nga elitat e futbollit finlandez, AC Atlantisi.

Seferi as me AC Allianssin nuk kishte arritur të debutojë në Veikkausliga, pasi ky ekip ishte zbuluar për kurdisje të ndeshjeve dhe Federata e Futbollit Finlandez e kishte përjashtuar nga liga.

“Pas transferimit në AC Allianssi. unë pësova një lëndim në meniskus dhe isha jashtë fushës për shtatë muaj. Por vetëm pas disa xhirove ky klub u përjashtua nga liga, pasi ishte zbuluar se i kishte kurdisur disa ndeshje në kampionat dhe unë mbeta pa debutuar në ligë”, tregon 24-vjeçari.

Por, edhe pse në të dy herët e kaluara nuk arriti të luajë në elitën e futbollit finlandez, Seferi beson se me talentin që ka, sërish do t’i jepet një mundësi që të luajë në këtë nivel.

“Shpresoj ta sanoj këtë lëndim dhe t’i rikthehem fushës. Unë tash veç kam arritur një marrëveshje me skuadrën nga liga e dytë PK-35. Këtu synoj ta rikthej formën e më pas besoj që do të më jepet sërish një mundësi që të luaj në Veikkausliga”, ka theksuar ai.

Sezonin e kaluar, Seferi, i cili luan në pozitën e qendërsulmuesit, pati paraqitjet e shkëlqyeshme në ligën e dytë finlandeze, me skuadrën e FC Espoos, ku shënoi 13 gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›