Messi, 109 gola në 100 ndeshjet e fundit

Në fakt, sulmuesi argjentinas në katër sezonet e fundit ka qenë rregullisht golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve. Sipas sezoneve shkoi kështu: 2008-09 (9 gola), 2009-10 (8), 2010-11 (12), dhe 2011-12 (14). I madhi Muller po ashtu ka qenë katër herë realizatori më i mirë në aso kohe Kupën e Evropës në sezonet 1972-73, 1973-74, 1974-75, 1976-77, katër herë në pesë sezone.
Por, Messi është edhe më i mirë sepse kryesoi listën e golashënuesve në garën elite të klubeve evropiane për katër edicione me radhë. Në fakt, Messi në Ligën e Kampionëve ka shënuar 53 gola në 69 ndeshje. Pas tij vjen rivali nga Real Madridit, Cristiano Ronaldo me 39 gola në 81 paraqitje.
Kurse, ajo që e bën edhe më të veçantë argjentinasin është bilanci i jashtëzakonshëm i tij prej 109 golave në 100 ndeshjet e fundit zyrtare me Barcelonën në të gjitha garat. Të mërkurën, Barcelona fitoi 3:2 ndaj Spartak Moskës, kurse Messi përmbysi disavantazhin 1:2 duke shënuar dy herë.