‘Të mëdhenjtë’ në aut

Edhe po të jesh trajner shumë i suksesshëm, në Kosovë është bërë mjaft vështirë të gjesh punësim në ndonjë klub të futbollit. Këtë e konfirmon fakti se numri i trajnerëve të njohur e të dëshmuar në futbollin kosovar që aktualisht janë të papunë, është shumë i madh.
Trajnerë shumë të njohur, siç janë Afrim Tovërlani, Bylbyl Sokoli, Ajet Shosholli, Muharrem Sahiti, Rafet Prekazi, Jusuf Tortoshi, Fahredin Duraku, Genc Hoxha e të tjerë, aktualisht janë të lirë.
Në fakt, të lartpërmendurit thonë se kanë oferta për punë. Por, hezitojnë t’i pranojnë ato, ngase krerët e klubeve pastaj tentojnë t’u ndërhyjnë në punë, gjë që një trajner profesionist në asnjë mënyrë nuk e lejon.
“Fatkeqësisht, në futbollin kosovar roli i trajnerit po degradohet. Unë dhe shumë kolegë tjerë të mi kemi mbet pa skuadra vetëm pse mundohemi ta ruajmë rolin e trajnerit. Pra, vetëm pse mundohemi të punojmë në mënyrë profesionale”, thotë Muharrem Sahiti.
“Unë, por besoj se edhe shumë kolegë të mi, nuk lejojmë që vendimet që na takojnë neve si trajnerë, t’i merr dikush tjetër. Andaj, për trajnerë sot është e vështirë të dish të gjendesh siç duhet nëpër klube. Absolut nuk e kuptojnë rolin e trajnerit”, theksoi trajneri gjilanas.
Sipas tij, trajnerët e dëshmuar sot nuk pranojnë të punësohen nëpër klube para se këto të fundit t’ua përmbushin kërkesat financiare dhe ato profesionale.
“Një trajner i mirë sot minimumi prej një klubi i kërkon nga 5 mijë deri në 10 mijë euro para të gatshme në dorë për një vit, porsa të nënshkruajë kontratë. Ky është minimumi. Po ashtu edhe një rrogë mujore prej 1 mijë euro në minimum. E pastaj, secili trajner i ka ato kushtet e veta profesionale, për shembull që nuk e lejon kryesinë t’i përzihet në formacion e kështu ngjashëm”, shtoi ai.
“Klubet janë në krizë financiare, por megjithatë kërkesat e tilla të trajnerëve nuk janë aspak të mëdha. Kur kemi parasysh se krerët e klubeve po kanë para për të blerë ndeshje, ata duhet të kenë para që t’i paguajnë edhe trajnerët, prej të cilëve bile do të përfitojnë ngritje të cilësisë në ekipet e tyre”, vazhdoi Sahiti.
Ai pohoi se tashmë në Kosovë janë bërë shumë trajnerë, madje edhe të pashkolluar, të cilët janë në gjendje t’u japin klubeve para vetëm për t’i angazhuar si trajner, e lëre më të kërkojnë kushte.
Sikurse Sahiti afërsisht njëjtë janë shprehur edhe disa nga trajnerët e lartpërmendur, të cilët njëzëri kanë pohuar se pa ta futbolli kosovar nuk do të mund të përparojë për nga cilësia.
“Jemi total të pambrojtur, vetëm pse mundohemi të jemi sa më profesionistë. Klubet na shkarkojnë e nuk i kryejnë obligimet e kontratës. Kështu që ne shpresojmë të pranohemi në UEFA, sepse shumica nga ne jemi të licencuar nga UEFA, andaj atëherë klubet do të detyrohen të na trajtojnë siç duhet”, thotë Jusuf Tortoshi.
Në anën tjetër, klubet konsiderojnë se trajnerët e rangut të Tovërlanit, Sokolit e të tjerëve janë të shtrenjtë në këtë kohë krize për to.
“Si Liri asnjëherë nuk përzihemi në punët e trajnerit, edhe pse kjo ndoshta mund të ndodhë në klube tjera. Pra, ndoshta kanë të drejtë trajnerët që ankohen. Mirëpo, unë mendoj se arsyeja kryesore që ata janë të papunë është se ata e kanë vlerësuar veten me një çmim që nuk përballohet nga klubet, kur dihet kriza financiare që i ka kapluar”, tha drejtori i Lirisë, Fatmir Gashi.