Messi barazon Cesarin me gola kundër Realit

Lionel Messi vazhdon të thyejë rekorde. Të enjten, ylli argjentinas u bë golashënuesi më i mirë në histori të Barcelonës në El Clasico, duke barazuar Cesarin me 14 shënime.
Messi shënoi nga penalltia në fitoren e gjigantit katalan 3-2 kundër madrilenëve në kuadër të duelit të parë të Superkupës së Spanjës në Nou Camp. Goli i tij e përmbysi rezultatin dhe kaloi Barcelonën në epërsi. Golashënuesi më i mirë në histori të El Clasicos mbetet argjentinasi Alfredo Di Stefano.
Ish futbollisti i Real Madridit ka shënuar gjithsejtë 18 gola në përballje kundër Barcelonës. Kurse, Messi është futbollisti i vetëm që ka realizuar në katër ndeshje të njëpasnjëshme të Superkupës së Spanjës. Në edicionet e kaluara të garës, ai tundi rrjetat e Athletic Bilbaos dhe Sevillas.