Dinamo nuk di të fitojë, humb në testin ndaj Ilirisë
Blutë kanë humbur me rezultatin e thellë 0-3 në miqësoren e zhvilluar dje në Tiranë ndaj Ilirisë
Dinamo: Lamellari, A. Kule, Likmeta, Kaliqi, Rexhepi, Kënga, Tiago, Sulejmani, Seriani, Ferraj, De Paula U aktivizuan ( Selaci, Luzha, Hamzai, E. Kule, Targaj, Omeraj) Trajner: E. Zhupa
Iliria: Sejdini, Papleka, Lusha, Baku, Doçi, Caca, Gjokeja, Bardhi, Kurti, Brataj, Ivanaj U aktivizuan ( Vathi, Pashako, Basha) Trajner: F. Sala
Shënues: Brataj 13, Gjokeja 38, Basha 75
Kartonë të verdhë: De Paula, Likmeta / Brataj
Kartonë të kuq: A. Kule
Gjyqtarë: E. Peza, Barushi, Agaraj
Dinamo ka humbur dje në miqësoren kundër Ilirisë me rezultatin e thellë 0-3. Takimi ka startuar në 17:45 dhe është zhvilluar në stadiumin Selman Stërmasi, nën praninë e një numri të konsiderueshëm sportdashësish, të cilët kanë mbetur të zhgënjyer nga paraqitja e ekipit të tyre, edhe pse ajo ishte në kuadrin e një testi para fillimit të kampionatit.
Sfida ka nisur e qetë nga të dyja ekipet, por me kalimin e minutave, futbollistët e të dyja kampeve e harruan disi misionin e kësaj miqësoreje, pasi ndërhyrjet e rënda filluan të ishin të shpeshta në dëm të njëri-tjetrit.
Në përgjithësi, dinamovitët ishin më shumë nervozë seç duhej. Kjo gjë ndikoi edhe në rezultatin përfundimtar, por edhe qartësia në mënyrën e ndërtimit të aksioneve nuk ishte ajo që pritej.
Asnjë aksion të rrezikshëm, asnjë gjuajtje në portë dhe mjaft gabime në mesfushë dhe mbrojtje. Futbollistët e Ilirisë nga ana e tyre shfrytëzuan mjaft mirë shanset që iu dhanë dhe arritën të shënonin plot tri herë.
Ai që do të hapte serinë e golave për miqtë ishte Brataj, i cili në minutën e 13-të do të mposhtte portierin kundërshtar me një gjuajtje të fuqishme nga jashtë zonës.
Pas disavantazhit, Dinamo nuk është në gjendje të reagojë dhe nuk rrezikon në asnjë moment. Para përfundimit të pjesës së parë, Iliria do të shënonte përsëri një tjetër gol me anë të Gjokejës në minutën e 38-të.
Goditjen e dënimit të fituar në afërsi të zonës ai do ta ekzekutonte në mënyrë perfekte duke dyfishuar rezultatin për miqtë. Pas këtij momenti loja do të bëhej edhe më shumë agresive dhe gjyqtari kryesor i takimit do të ndëshkonte me karton të kuq Andrea Kulen pas një ndërhyrje të ashpër të këtij të fundit në dëm të Bratajt.
Kaq mjafton për pjesën e parë, ndërsa fraksioni i dytë i kësaj miqësoreje do të fillonte me shumë zëvendësime nga ana e trajnerit Zhupa. Por përsëri nuk ndryshon asgjë dhe Dinamo qëndron në të njëjtat ujëra si në 45minutat e para.
Futbollistët e kanë të vështirë për të dalë në gjysmëfushën kundërshtare, ndërsa fushë-krujasit janë më të qetë pas avantazhit të dyfishtë. Iliria do të shënonte edhe golin e tretë në minutën e 75-të me anë të Bashës, i hedhur në fushën e lojës në pjesën e dytë, i cili shkarkon të djathtën e tij, duke ia bërë të pamundur portierit dinamovit evitimin e topit jashtë kuadratit të tij.
0-3 deri në përfundimin e gjithë takimit, duke bërë që blutë të pësonin humbjen e parë në po kaq miqësore të zhvilluara në Shqipëri gjatë kësaj periudhe përgatitjesh.
Edhe pse në kuadrin e një testi, ku do të vëzhgohej në përgjithësi forma e lojtarëve u pa se Dinamo ka ende vend për përmirësim dhe trajneri Zhupa nëpërmjet kësaj miqësoreje do të ketë mundësi të ndërhyjë për të rregulluar edhe pikat e dobëta që u vunë re dje.
