E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paro Laçi jep lajmin: Albert Xhani nuk do të jetë më pjesë e Partizanit

Nga ILIR CARA

Administratori i të kuqve, Paro Laçi, me anë të një deklarate për shtyp ka deklaruar largimin e ortakut të tij dhe shumë shpejt ekipi do të ketë mbështetjen e donatorëve të rinj

Te Partizani duket se ka përfunduar epoka Albert Xhani dhe një erë e re ndryshimi pritet të fryjë te të kuqtë e kryeqytetit. Ka qenë ortaku i Xhanit tek Partizani, Paro Laçi, që me anë të një deklarate për shtyp pohon se : Albert Xhani nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Partizanit.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat, Paro Laçi që zotëron 40% të aksioneve tek shoqëria Partizani sh.a, sqaron se aksionet e Xhanit tashmë janë në shitje dhe ai ka të drejtën e parablerjes. Ja deklarata e plotë e Laçit e shpërndarë për mediat: Tani mund të them se Albert Xhani nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Partizanit.

Procedurat për shitjen e 60% të aksioneve të tij, janë duke u përpiluar në një studio ligjore, e cila do të bëjë të gjitha veprimet. Unë si ortaku i dytë i Shoqërisë Partizani sh.a, kam të drejtën e parablerjes së këtyre aksioneve dhe një gjë e tillë më është kërkuar nga aksionari maxhoren, Albert Xhani.

Gjithsesi ajo, që mund të them për momentin, është se pranë skuadrës së Partizanit shumë shpejt do të afrohen njerëz të cilët kanë kontribuar edhe më parë në këtë ekip. Personalisht i siguroj të gjithë tifozët e Partizanit në mbarë vendin se shumë shpejt ekipi do të jetë në Superiore edhe me mbështetjen donatorëve të rinj që do të jenë në këtë ekip.

Kthim në identitet Sezoni i ri pritet të shpalosë një Partizan ndryshe nga sa jemi parë në katër vitet e fundit, pasi thuhet se financat janë të garantuara dhe shumë shpejt klubi do të ketë pronarë të rinj, që me financimet e tyre do të bëjnë të mundur kthimin  e demave në altarin që i takon.

Në kontaktin që patëm me administratorin e të kuqve, Paro Laçi, ai jo vetëm që konfirmon lajmin, por sqaron se ka qenë vetë ortaku i tij, Albert Xhani, që e ka telefonuar dhe i ka thënë që të gjejë ortakë të rinj, pasi ai nuk ka më punë me Partizanin.

Pas shumë vuajtjeve  ka ardhur koha që edhe Partizani ti  japë fund rrënimit. Them se shumë shpejt Partizani do të jetë pjesë e historisë së tij të suksesshme. Partizanin e duan të gjithë, por përpos dëshirës për ta ndihmuar kishte barriera, që ishin të prirur për veten e jo për klubin.

Barriera ka rënë dhe tani Partizani do të ketë mbështetjen e të gjithë atyre që e duan. Një gjë po ju them, së shpejti Partizani do të ketë fytyrë të re, gjë e cila do të garantohet nga pronarët e tij të rinj,- u shpreh për Sportin shqiptar administratori i demave të kuq, Paro Laçi.

Marko Pelixhi rikthehet në stafin teknik të kuqve

Pas një mungesa disa javore te Partizani është rikthyer edhe trajneri Marko Pelixhi, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e suksesit të ekipit, që u ngjit nga Kategoria e Dytë në të Parën. Trajneri Pelinxhi u largua pas ditës së parë stërvitore të ekipit, por tashmë distanca është shuar dhe ai do të shtojë vlerat e stafit teknik.

Trajneri Pelixhi pritet që sot ti bashkohet skuadrës në grumbullim, por në seancat e së premtes pritet edhe rikthimi i disa lojtarëve, që kanë qenë të dëmtuar prej ditësh si Capa, Agolli, Limani etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›