Messi, i freskët

Futbollisti më i mirë në botë ishte me Argjentinën në Copa America dhe në Botëror në dy vjetët e fundit, ndërsa në vitin 2008 ishte në Olimpiadën 2008. Ai beson se ky pushim do të bëjë që ai të jetë edhe më i mirë në sezonin 2012-13.
“Nuk isha i aftë të bëja fazë para-sezonale për një kohë të gjatë, sepse gjithmonë arrija vonë. Ishte shumë pozitive për mua të pushoja një kohë të gjatë”, deklaroi sulmuesi argjentinas për të përditshmen ‘El Mundo Deportivo’.
Messi realizoi 72 gola sezonin që shkoi, duke thyer rekord personal dhe evropian. Ai realizoi tri gola në miqësore për Barcelonën ndaj Raja Casablancas. Ai e lavdëroi edhe trajnerin Tito Vilanova, i cili e zëvendësoi Pep Guardiolan.
“Mënyra e stërvitjeve ka vazhduar në të njëjtën mënyrë dhe po punojmë me të njerëzit e njëjtë, kështu që s’ka ndryshime. Po ushtrojmë fort dhe duhet të vazhdojmë kështu, që të jemi sa më të gatshëm në ndeshjet e rëndësishme”, përfundoi Messi.