Lezhë, të burgosurit përleshen me policët e sigurisë
LEZHË- Përleshje në Burgun e Shënkollit në Lezhë. Një kontroll i befasishëm i ushtruar nga grupi i sigurisë së këtij burgu ka rebeluar disa nga të dënuarit, të cilët janë konfrontuar fizikisht me efektivat e policisë. Burime të besueshme nga ky institucion i vuajtjes së dënimit bëjnë me dije, se ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 të së premtes. Ndërsa të dënuarit e godinës nr.2 të këtij burgu po merrnin ushqimin e darkës, pesë punonjës të sigurisë së burgut kanë hyrë në ambientet e ndërtesës dhe kanë nisur kontrollin e qelive për sende të paligjshme që ata mund të kishin. Duke qenë se dyert e qelive ishin të hapura, disa të burgosur kanë kundërshtuar këtë kontroll të befasishëm. Ata kanë nisur të shajnë pesë policët e sigurisë, si dhe janë konfrontuar fizikisht me ta. Situata për pak sa nuk ka degjeneruar në një revoltë masive, por ka qenë i menjëhershëm reagimi i autoriteteve të Burgut të Shënkollit. Në godinën nr.2 ka shkuar drejtori i burgut, Valentin Miri si dhe shefi i rendit, Ilir Salillari, të cilët kanë marrë në mbështetje edhe togat e shoqërimit të të burgosurve për të shuar sherrin. Pas ndërhyrjes së 16 efektivave të policisë dhe dy titullarëve të burgut, situata është normalizuar. Të burgosurit kanë hequr dorë nga veprimet e dhunshme, ndërsa kontrolli ka vijuar në të gjithë godinën. Burimet e mësipërme sqarojnë, se gjatë kontrollit të ushtruar, në qelitë e të dënuarve janë gjetur 6 celularë, si dhe 2 shkopinj fshese që ishin mbushur me rërë dhe do përdoreshin në rast të ndonjë konflikti të mundshëm mes vetë të burgosurve ose të burgosurve dhe policisë. Po të njëjtat burime sqarojnë, se do të bëhet verifikimi i kamerave të sigurisë për të identifikuar të gjithë të dënuarit që u rebeluan dhe u konfrontuan fizikisht me punonjësit e policisë së Burgut të Shënkollit. Vetëm pak ditë më parë të dënuarit e këtij burgu u futën në grevë urie, duke kundërshtuar amnistinë e propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe që pritet të dekretohet nga presidenti Nishani. Të burgosurit kërkuan rishikimin e kritereve të faljes, me qëllim që të përfitonin të gjithë nga amnistia. Kërkesa nuk u mor parasysh, ndaj të burgosurit ndërprenë grevën.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)