E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi 2012, një shtëpi e madhe... pa jetë

Panairi i Librit 2012 nuk është se ka sjellë ndonjë risi të madhe në jetën shoqërore të publikut shqiptar. Për qeveritarët, mbase po. Ata e shfrytëzuan për axhendën e tyre të Pavarësisë dhe për të treguar se janë gju me gju me popullin dhe intelektualët, që i ndiqnin hap pas hapi. Megjithatë, ai shërbeu më së miri, për të qenë një nga aktivitetet e kalendarit kombëtar të festimeve dhe në këtë rast tallja ishte bash e bukur, kur mendon se kryeministri Berisha premtoi vetëm në ditën e dytë të Panairit se do të lehtësonte qiratë e panairit?! 

Në fakt, libri këtë vit ka shpëtuar disi nga promovimet e frikshme alla Fevzi dhe Blush dhe shpura e gazetarëve të kulturës, që e identifikonin Panairin vetëm me krijimet e tyre. Për fat të keq, panairi i ngjan një shtëpie të madhe me shumë dritë, por me aspak jetë. 

Si në çdo aktivitet të madh, që ndodh në vend, kuptohet se edhe në këtë rast media ka vrapuar të rreshtohet. Është një pjesë, e cila vazhdon panegjirizmat për librat që janë promovuar si libra cilësorë dhe që kuptohet se harrohen sa mbyllet Panairi dhe proklamimet si libri p.sh. i Hetem Ramadanit që është tejet i arritur?!!

Moria më e madhe e prurjes ka qenë ajo e librave historikë. Të gjithë janë hedhur kush e kush të shkruajë diçka, por askush s'na ka dhënë ndonjë gjë më shumë se mali me dokumente, prodhuar në vitet e Diktaturës. Nuk ka mbetur historian i Institutit të Historisë dhe katedrës të mos ketë sjellë kontributin e tij. Megjithatë, me pak përjashtime, si në rastin e Ledia Dushkut, përkthimeve të Diturisë dhe Pegit, kontributet e historianëve tanë lënë shumë për të dëshiruar. Edhe pse znj. Duka shkruante pak ditë më parë se në këtë kohë historinë mund ta shkruash pa probleme. Ismail Qemali është mbushur me thënie dhe tashmë dimë kinse gjithçka e në fakt asgjë të saktë, ndërsa në hije e të pandriçuar kanë mbetur shumë e shumë personazhe të tjerë. Letërsia artistike përveç ardhjes së "Kazarëve" të Paviçit të Onufrit; "Kështjellës" së Kafkës, përkthimit të fundit të Klosit; Murakamit, Selman Ruzhdies, pak titujve të Diturisë, IDK-së, Toenës, disa titujve simpatikë të "Pika pa Sipërfaqe" etj, nuk është se na ka bërë ndonjë thagmë, si në vitet e tjera. Për hir të së vërtetës, Nobelistët, s'kanë mundur të kenë shumë akses sepse më së shumti, ata gjithnjë janë kaluar tangjent, nga një publik gjithnjë e më shumë i fjetur. Bie në sy këtë herë risia e prezantimit të institucioneve të huaja, akredituar në Shqipëri dhe paraqitja e tyre në stendat e këtij viti. Që duhet thënë se është shumë më e mirë se në vitet e shkuara. Hapësira, për hir të së vërtetës, në një farë mënyre, ka treguar dhe interesat ndryshe të botuesve shqiptarë në ditët tona. Paçka se ata mbeten ende larg problematikave të tyre, që më së shumti i shtojnë vetë. 

Pjesa më qesharake, si gjithnjë, ka mbetur pjesa, të themi që lidhet me qeveritarët. Si gjithmonë ata kanë premtuar e premtuar. Kryebashkiaku Basha ka pasur mundësinë që të flasë për planin e shtrirjes më tej të Bulevardit, që do të thotë po ashtu edhe një bibliotekë e re sipas tij, por nga ana tjetër edhe taksa më të ulëta lokale, për ata që do tentojnë të ngrenë Librari të reja. E njëjta retorikë që është përdorur shpesh, por që tek e fundit, me të dy krahët politikë, deri më tani, ka rezultuar nul. E sa e vërtetë është kjo? Këtë mund ta shikosh nga gjendja e librit sot.
Larg këtyre, libri shqiptar është duke lënguar shumë. Që nga botues të pandërgjegjshëm, të cilët manovrojnë në mënyrë aspak profesionale me librin, e duke vazhduar me njerëz të tjerë të librit që bëjnë abuzime nga më të shumët. Dhe, të mos harrojmë se Shqipëria gjendet në ciklin e krizës dhe po bëhet gjithë e më keq. Është aqsa botuesit të gjithë presionin e tyre e përcjellin mbi krijuesit, që zakonisht paguajnë vetë apo nga presioni i pamëshirshëm ndaj përkthyesve, duke i shpërfytyruar sa më keq që munden.
(e.m/Milosao/BalkanWeb)

Në një shkrim të dy javëve më parë te "Milosao", kryetari i këtij panairi, Petrit Ymeri, shqetësimin më të madh e kishte tek njerëzit që promovojnë librit, por në fakt, i gjithë komuniteti i prodhimit të librit nga dita në ditë ka degjeneruar në një komunitet amorf, që boton vetëm për të botuar dhe ku librat e vërtetë zakonisht i mëson nga kontaktet personale, apo thjesht nga një miku i mirë.
Botuesit kryesorë duket se qëllimin kryesor kanë të pasurohen pa fund me çdo kusht në kurriz të cilësisë së vërtetë. Kjo e bën, veç të tjerash, që të jetë e amullt tregtia e librit, por më shumë se kaq njerëzit të kenë frikë nga librat.
Këtë vit është qetësi ndryshe nga vitet e tjera. Është meritë e krizës fillimisht, por nga ana tjetër edhe e pafuqisë së botuesve për të treguar vërtetë cilësi të librit. Të paktën, këtë tregon edhe këtë herë kjo shtëpi e stërmadhe plot dritë e fjalë, por e boshtë dhe e pajetë për publikun shqiptar. Për arsye të flirtit të zakonshëm me qeveritarët, për arsye të cilësisë në përgjithësi të munguar dhe për shkak se edhe këtij panairi i mungon sqima që duhet për të qenë krenar dhe mezi pritur. E mbi të gjitha, këtë na e tregoi edhe mungesa e një monografie serioze për Ismail Qemalin dhe e ndonjë pune përfaqësuese cilësore për pavarësinë. Të mos harrojmë, niveli i historisë së këtij viti dhe prurjeve, jo vetëm se kalon vitin paraardhës, por vazhdon trendin rënës të kulturës shqiptare, që e kemi para syve dhe nuk mund ta ndalim dot më për asnjë lloj arsye.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›