E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, MASH nxjerr programet e reja të testimit 2011

SHKRUAN: Jonida Tashi 14-02-2011 11:08

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht programet e reja të zhvillimit profesional, për efekt marrjen e shkallëve të kualifikimit të mësuesve për vitin 2011. Në total bëhet fjalë për 25 programe të ndryshme kualifikimi, nga të cilat gazeta boton sot të plota programet e kualifikimit për: Gjuhë-Letërsinë, Matematikën, Fizikën, Kiminë, Biologjinë, Historinë dhe Gjeografinë. Programet e zhvillimit profesional, për marrjen e shkallëve të kualifikimit të mësuesve, sipas lëndëve përkatëse, janë hartuar nga grupet e punës, të ngritur nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA), për t’u ardhur në ndihmë të gjitha drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave të arsimit të rretheve, si dhe të gjithë mësuesve, në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, për t’u përgatitur për testimin kombëtar për marrjen e shkallëve të kualifikimit. Edhe këtë vit, në datën 24 prill, arsimtarët në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen testimit të kualifikimit, falë të cilit do të sigurojnë edhe një shtesë mbi rrogën mujore. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se edhe për këtë vit, rregullat e testimit të mësuesve do të jenë të njëjta me një vit më parë, ndërsa pritet nxjerrja e udhëzimit të ministrit të Arsimit, për këtë procedurë. Përsa i përket arsimtarëve, që do të testohen gjatë vitit aktual, sipas kushteve të vendosura nga Ministria e Arsimit, provimit të kualifikimit për vitin 2011, do t’i nënshtrohen të gjithë mësuesit, të cilët kanë plotësuar 5, 10, 20 vite pune në arsim, deri në fund të dhjetorit të vitit 2010. Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2010 kanë siguruar 5 vite pune si arsimtar, kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Edhe më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim, kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t’i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit, një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë, që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5%, për të dytën plus 10% dhe për të parën plus 20%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›